LajmeRajon

Rama me kritika ndaj britanikëve!

Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për BBC akuzoi Mbretërinë e Bashkuar se po sulmon shqiptarët për të justifikuar politikat e saj të dështuara të emigracionit dhe të ruajtjes së kufijve.

Kreu i qeverisë mes të tjerash komentoi dhe deklarata e Sekretares së Brendshme, Suella Braverman, duke thënë se thënie të tilla nuk do të bënin gjë tjetër përveçse do të nxisnin ksenofobinë. “Kjo lloj gjuhe nuk është një politikë, nuk është një program,” u shpreh Rama.

Ministrja Braverman tha disa ditë më parë se Anglia jugore po përballej me një pushtim emigrantësh dhe mes të tjerash akuzoi shqiptarët se po abuzojnë me ligjet moderne të skllavërisë.

Në një intervistë për BBC Newsnight,  Rama tha se komenti “pushtim” i përdorur nga Braverman ishte i pavend dhe për këtë arsye e kishte të pamundur të mos reagonte.

“Nuk bëhet fjalë për një person. Ka të bëjë me frymën që është krijuar dhe ka të bëjë me gjetjen e një kurbani duke fajësuar të tjerët. Nuk bëhet fjalë për shqiptarët, as alienë apo gangsterë, por ka të bëjë me politikat e dështuara për kufijtë dhe krimin. Unë admiroj gjithçka që përfaqëson Britania. Por me të vërtetë jam i neveritur për këtë lloj politike që në fund është e dënuar të dështojë”.

I pyetur nga BBC se a ka faj qeverisja e tij për largimin masiv të shqiptarëve, Rama tha se qeveria e tij po e bën mirë punën. Ai tha se Shqipëria nuk ka qenë perandori, duke sulmuar britanikët sërish.

“Shqipëria nuk është një vend i pasur dhe ka qenë për një kohë shumë të gjatë viktimë e perandorive, ne nuk kemi pasur kurrë tonën. Ne kemi për detyrë të luftojmë krimin në shtëpi dhe po e bëjmë këtë me vendosmëri, pasi bashkëpunojmë ngushtë edhe me të tjerët”, tha Rama dje.

Show More

Related Articles

Back to top button