LajmeMaqedoni

Ahmeti, Taravari dhe Gashi të hënën do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga Kovaçevski

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Aleanca për Shqiptarët (ASH) dhe Alternativa kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e liderëve të partive parlamentare, të cilin të hënën e ka thirrur kryetari i LSDM-së dhe kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Nga BDI-ja kanë thënë se për temat e rëndësishme që kanë të bëjnë me integrimet evropiane të vendit, nuk ka dyshim se në tavolinë duhet të ulen të gjitha partitë politike, pavarësisht nga orientimet e tyre.

Aleanca për Shqiptarët në mbledhjen e së enjtes mbrëma ka marrë vendim që të marrë pjesë në mbledhjen e liderëve të partive parlamentare, të cilën e thirri kryeministri Dimitar Kovaçevski për të hënën.

Mësohet se në takim kjo parti do të prezantojë qëndrimet e saj për shumë çështje aktuale politike në vend, përfshirë edhe kërkesën për fshirjen e “20%” për gjuhën shqipe nga Kushtetuta.

Ndërkaq, për takimin e liderëve të partive shqiptare, të cilin e thirri lideri i Lëvizjes BESA, Bilal Kasami, ASH thotë se “ata do të qëndrojnë në komunikim me të gjitha partitë shqiptare”.

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, do të marrë pjesë në takimin e liderëve të partive parlamentare të thirrur nga kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Në anën tjetër, Lëvizja BESA e Bilal Kasamit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në mbledhjen e liderëve të partive parlamentare të thirrur nga kryeministri Dimitar Kovaçevski.

“Pasi të vendosë kryesia qendrore e partisë, do ta shpallim qëndrimin tonë”, ka thënë për “Lokalno” Faruk Avdiu, zëdhënës i Lëvizjes BESA.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski thirri takimin e lidershipit të partive politike parlamentare, i cili do të mbahet të hënën, më 7 nëntor, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Mbledhja e thirrur nga kryetari i Qeverisë, siç njofton Shërbimi për shtyp i Qeverisë, organizohet me qëllim të hapjes së diskutimit për të ardhmen evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe për vendimet që duhet të merren në të ardhmen në Kuvend me konsensus të gjerë politik dhe shoqëror.

Show More

Related Articles

Back to top button