Është hedhur sot në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës shorti për eliminatoret e Kampionatit Europian U-17 për femra 2022-2023. Shorti e ka vendosur Shqipërinë në Grupin B2 të Ligës B së bashku me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Moldavinë, ndërkohë që pas konsultimeve mes skuadrave dhe UEFA-s, është vendosur që ndeshjet e këtij grupi do të organizohen në Shqipëri në datat 18, 21 dhe 24 tetor 2022.
Përfaqësuesja shqiptare U-17 për femra e drejtuar nga trajneri Agustin Kola merr pjesë edhe në këtë edicion të Europianit në Ligën B, ku do të garojë për të siguruar ngjitjen në Ligën A. Gjashtë fituesit e grupeve dhe vendet e dyta me rezultatet më të mira ndaj ekipeve të para dhe të treta në grup do të promovohen në Ligën A.
Me vendimin e marrë në vitin 2020 nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, kualifikueset e U-17 dhe U-19 për femra janë riorganizuar, teksa skuadrat janë ndarë në dy Liga, A dhe B. Ekipet që janë pjesë e Ligës A garojnë për t’u kualifikuar në Europian, ndërsa ato të Ligës B garojnë për t’u ngjitur në ligën më lart.