Anthony Joshua do të rikthehet në ring në mars të vitit tjetër. Rivali i tij do të dalë nga sfida mes Dillian Whyte dhe Jermaine Franklin, duel që do të zhvillohet më 26 nëntor në Londër.
Lajmin e konfirmoi Eddie Hearn, menaxheri i Joshua dhe promotori i sfidave të boksit. “Ka shumë emra që janë përmendur muajt e fundit për të dueluar me Joshua. Disa prej tyre janë Otto Wallin apo Filip Hrgoviq, që i vlerësojmë. Gjithsesi, unë mendoj se fituesi i duelit mes Whyte dhe Franklin do të jetë sfidanti i Joshua në ring vitin tjetër”, ka thënë Hearn.
“Të paktën ky është plani ynë, që fituesi i kësaj sfide të ngjitet në ring, duke qenë në ‘pole’. Ne dëshironim që sfida të zhvillohej në shkurt, por ndoshta muaji mars është më i përshtatshëm, duke i dhënë mundësi rivalit të rikuperojë. Gjithsesi, deri në fund të nëntorit nuk do të kemi risi”, ka deklaruar Hearn.