LajmeMaqedoni

Mungesa e teksteve ulë cilësinë në arsim, Mustafa: Po eksperimentohet me reformat

Javën e ardhshme, në të gjitha shkollat fillore të vendit do të nis distribuimi i teksteve shkollore për klasën e parë, të dytë, të katërt dhe të pestë. Këto të fundit janë pjesë e Konceptit të ri mësimor që parashikon realizimin e procesit mësimor me libra digjital paralelisht me ato të shtypura. Nga Ministria e Arsimit thanë për Alsat se tashmë janë aprovuar 25 tekste shkollore ndërsa 9 të tjera janë në procedurë.

“Një sfidë që do të vijojë më tutje është që jo gjithë tekstet shkollore për çdo lëndë mësimore janë të aprovuara. Kjo për arsye të procedurave të aprovimit të teksteve, ku jo gjithmonë vijnë dorëshkrime kualitative nga autorët. Disa prej tyre refuzohen për shkak të lëshimeve përmbajtësore, didaktike, etj. Deri më tani, për arsim fillor janë aprovuar 25 tekste shkollore duke nisur nga marsi I vitit 2022 me fillimin e komisionit te ri nacional për tekste, për klasat 1, 2, 4 dhe 5. Nëntë tekste shkollore janë në procedurë, dhe me këtë gjithë tekstet do të jenë të aprovuar”, njoftojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Profesori Avzi Mustafa tha se vonesa e teksteve shkollore ka ndikuar dukshëm në uljen e cilësisë në arsim. Madje, Mustafa shton se reformat e shpeshta në arsim dhe mungesa e mjeteve didaktike janë në dëm të nxënësve dhe zhvillimin e duhur të tyre.

“Tani kur jemi të fokusuar që të ngrihet cilësia në arsim përsëri shoh që po viktimizohen nxënësit dhe ja po prolongohet dalja e teksteve që është një prej kushteve themelore për arritjen e suksesit në procesin edukativo mësimor.Kjo që u bë, një strukturë e librave të përfshirë disa lëndë në një libër nuk është që të mund të presin që të fitojnë nxënësit njohuri për arsye se aty mungon struktura e librit dhe që duhet nxënësit të kenë detyra kontrolluese, detyra shtëpie, detyra për zhvillim për rritjen e kreativitetit të nxënësve, këtu mungojnë për arsye se në një tekst të gjitha ato lëndë, pesë lëndë nuk mund të ketë aspak sukses”, deklaroi Avzi Mustafa, profesor.

Këtë vit shkollor, nxënësit e arsimit fillor që janë pjesë e Konceptit të ri mësimor nisën vitin shkollor pa libra. Në vend të tyre u furnizuan me materiale mësimore që përmbajnë njësi mësimore vetëm të tre mujorit të parë. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button