Të tre liderët e partive opozitare i kanë shkuar në takim kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Kurti kishte thirrur në takim Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për të diskutuar për “zhvillimet e fundit në vend, e sidomos në veri të vendit”.
Ai tha dje se ditëve të fundit janë intensifikuar kërcënimet e Serbisë dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për destabilizmin e situatës në veri të vendit.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë në Kosovë, si dhe që të shmanget eskalimi i tensioneve të krijuara.
Më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.
Largimet nga institucionet e Kosovës ndodhën pasi Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.
Haradinaj është larguar i pari nga takimi, ndërsa në një postim në rrjetin social Facebook ka dhënë edhe arsyet e këtij vendimi.
Ai shkruan se Kurti nuk po i sqaronte ata se përse kishte prishur raportet me SHBA në një moment delikat për Kosovën.
“EDHE PSE ISHA PJESË E TAKIMIT ME KRYEMINISTRIN KURTI, U DETYROVA TA LËSHOJ TAKIMIN SEPSE KURTI MBANTE LIGJËRATA E NUK NA SQARONTE SE PËRSE KA PRISHUR RAPORTET ME AMERIKËN DHE PËRSE NUK PO KTHEHEJ QË TË REALIZOJË KËRKESËN E TYRE.
PËR MUA ËSHTË E PAPRANUESHME QË NË RASTE KAQ TË NDJESHME, TË PRISHIM RAPORTET ME ALEATIN KRYESOR TË SIGURISË”, SHKRUAN HARADINAJ.