Kryetari i partisë Alternativa Afrim Gashi së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, Zeqirija Ibrahimi, kanë takuar Ambasadorin e Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkok. Në takim, siç thuhet në komunikatën, është biseduar për nismën e Alternativës që, gjatë hapjes së Kushtetutës, të miratohet nen me të cilin lëndët e korrupsionit të mos vjetrohen.
“Sot, bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm, Zeqirija Ibrahimi, e takova Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Shkup, SH.T. z. Hasan Mehmet Sekizkök.
Duke e falënderuar për pritjen miqësore, me Ambasadorin Turk biseduam për zhvillimet e fundit politike, si dhe për procesin eurointegrues. Përkitazi me këtë, e njoftova Ambasadorin për propozimin e fundit të Alternativës që, gjatë hapjes së kushtetutës, në ndryshimet që do të bëhen për shkak të nevojës së hapjes së negociatave me BE-në, të sanksionohet me nen të veçantë edhe lufta kundër korrupsionit, ashtu që lëndët e tilla të mos mund të vjetrohen.
Bashkë me Ambasadorin ramë dakord se lufta kundër këtij vesi shoqëror është një detyrim për të ndërtuar shtete të qëndrueshme dhe të suksesshme.
Ambasadori e përshëndeti këtë nismë, na uroi sukses, ndërsa bashkërisht i diskutuam edhe shqetësimet e tij në marrëdhëniet e Republikës së Turqisë me vendin tonë.
Turqia mbetet një ndër partnerët tanë kryesor në NATO, ndërsa për shqiptarët populli turk është aleati ynë strategjik”, qëndron në njoftimin.