Maqedonia e Veriut ka ngecur në modernizimin e njësive të zjarrfikësve në krahasim me rajonin. Komandanti i Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve në Qytetin e Shkupit, Zvonko Tomeski, në bisedë për MIA-n, thotë se kroatët, grekët dhe bullgarët shumë kohë më parë kanë bërë investime të mëdha në njësitë zjarrfikëse, ndërsa malazezët dhe serbët janë shumë përpara nesh. Mosha mesatare e automjeteve zjarrfikëse me të cilat disponon Njësia Territoriale e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit është rreth 30 vjet, ndërsa në parkun vozitës është në funksion një automjet i vitit 1968.
Tomeski thotë se ky automjet edhe pse është i vjetër, mbahet në gjendje të rregullt, sepse është e vetmja për shuarjen e zjarreve nga lëndët e ndezshme lehtë. “Automjetet kanë një moshë mesatare të lartë rreth 30 vjet. Për sa i përket rajonit, të gjitha shtetet fqinje janë modernizuar. Kroatët dhe malazezët janë shumë përpara nesh, serbët kanë bërë investime të mëdha dhe Bullgaria e ka bërë këtë shumë vite më parë”, shpjegon Tomeski për MIA-n.
Parku vozitës i kësaj njësie më të madhe zjarrfikëse në vend është pasuruar me dy automjete për në terren, njëra prej të cilave është blerë me një projekt me UNDP-në dhe tjetra nga mjetet e siguruara nga sigurimi i pronave. Tomeski vitin e ardhshëm pret që t’i marrin tri veturat zjarrfikëse për të cilat është në proces prokurimi publik, ndërsa ka njoftime edhe për një automjet të ri të zjarrfikësve që do të dhurohet nga Turqia. Ngecim edhe në lidhje me personelin e zjarrfikësve. Mosha mesatare e zjarrfikësve është ende mjaft e lartë dhe pritet leja nga Ministria e Financave për punësimin e personelit të ri.
Vitin e ardhshëm në NJTZ – Shkup pritet fluks i ri i kuadrit që do të shkojë në pension. Për momentin, në Njësinë Territoriale të Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit janë punësuar rreth 190 zjarrfikës, ndërsa sipas dispozitave ligjore, duhet të ketë rreth 400.