LajmeRajon

Polici bullgar vritet në kufi me Turqinë

Një efektiv i policisë bullgare është vrarë me armë zjarri në kufirin me Turqinë. Lajmin e konfirmoi Ministria bullgare e Brendshme.

Ministri Ivan Demerdzhiev tha se incidenti ndodhi të hënën në orën 20:30, kur një person i paidentifikuar qëlloi në drejtim të efektivëve që po patrullonin pranë fshatit kufitar Golyam Dervent.

Patrulla të shumta u dërguan në zonë, por vrasësi nuk është kapur dhe besohet se ka kaluar në territorin turk. Ministri u tha gazetarëve se kishte marrë garanci nga pala turke që vrasësi do të kapej. “Patrullat po hasen me rritje të numrit të refugjatëve çdo ditë. Ai i  mbrëmshmi ishte një akt i dhunës ekstreme”, tha Demerdzhiev, duke shtuar se Turqia duhet të jetë më aktive në ndalimin e atyre që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme. “Kërkoj të njëjtën gjë nga Europoli dhe Komisioni Europian”, shtoi ministri.

Bullgaria ka vendosur rreth 350 trupa dhe 40 mjete të rënda përgjatë kufirit me Turqinë për të ndihmuar policinë kufitare që të përballojë fluksin e emigrantëve. Trupat do të kryejnë patrullime të përbashkëta përgjatë vijës prej 259 kilometrash që ndan dy shtetet.

Pjesë e Bashkimit Europian, Bullgaria është një pikë kyçe kalimi për refugjatët nga Lindja e Mesme dhe Afganistani. Vetëm një numër i vogël i tyre vendosin të qëndrojnë në anëtarin më të varfër të unionit dhe e përdorin si transit për në vendet perëndimore.

© SYRI.net

Show More

Related Articles

Back to top button