LajmeMaqedoni

Editorial/Fati i rrugës Evropiane nuk duhet të lidhet me kushtëzime dhe me zgjedhje të parakohshme

Liderët e partive politike në Maqedoninë e Veriut kanë nisur bisedimet për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim përfshirjen e pakicës bullgare në pjesën e preambulës si popull shtetformues. Edhe pse shumica e partive ishin pjesë e takimit, sërish ndryshimet mbeten të vështira. Shqiptarët thanë se nuk është koha për shantazhime, ndërsa maqedonasit janë kategorik kundër. Kërkohet vullnet dhe përafrim i qëndrimeve, që vendi të shkojë drejt Brukselit!
Pse duhet të ndryshohet Kushtetuta!

Në vitin 2017, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nënshkruan Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë, që synonte kapërcimin e dallimeve mes dy vendeve, por në vend të kësaj raportet mes tyre u tensionuan deri në vendosjen e vetos nga ana e Bullgarisë në nëntor të vitit 2020.

Marrëveshja me Bullgarinë, për kapërcimin e kontestit mes dy vendeve për çështjet që kanë të bëjnë me historinë, gjuhën dhe identitetin maqedonas kishte për bazë një propozim francez për heqjen e vetos bullgare, që çoi në nisjen e bisedimeve politike për anëtarësim, më 19 korrik.

Por, bisedimet reale apo për kapitujt nuk do të mund të nisin pa plotësimin e kushtit kryesor që ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës dhe këtë Maqedonia e Veriut ka afat të bëjë deri në përfundimin e procesit të skriningut, apo të verifikimit të legjislacionit vendor me atë të BE-së.

Shqiptarët e maqedonasit me kërkesa të ndryshme

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, që drejton partinë kryesore në Qeveri, Lidhjen Social Demokrate, kërkon mbështetjen e partive tjera parlamentare pasi ndryshimet kushtetuese miratohen me dy të tretat apo me 80 nga 120 votat e deputetëve sa numëron Kuvendi, ndërsa shumica parlamentare aktuale numëron 63 deputetë.

Partitë kanë paraqitur kushtëzime të ndryshme. Partia më e madhe opozitare, VMRO DPMNE-ja e cila kundërshton Marrëveshjen me Bullgarinë, kërkoi që “partitë të bisedojnë për krizën ekonomike, vështirësitë e qytetarëve për ta përballuar dimrin, rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë elektrike, por edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare”.

Bashkimi Demokratik për Integrim, Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare që janë pjesë e Qeverisë në takim nuk kanë paraqitur kushtëzime duke u dhënë mbështetje ndryshimeve kushtetuese.

Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa në opozitë kanë kërkuar që ndryshimet kushtetuese të përfshijnë edhe ndryshimin e formulimit të gjuhës shqipe në Kushtetutë, që njihet si gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë në Maqedoninë e Veriut.

“Ne nuk jemi kundër ndryshimeve kushtetuese, por kërkojmë që në këtë hapje të Kushtetutës të zgjidhet njëherë e përgjithmonë edhe çështja me 20 përqindëshin”, ka thënë Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Ndërkohë, partitë më të vogla maqedonase, që kanë nga një apo dy deputetë, ndryshimin e Kushtetutës e kanë kushtëzuar me njohjen e pakicës maqedonase në Bullgari.

“Kërkoj që kjo të kushtëzohet me njohjen e pakicës maqedonase që jeton në Bullgari dhe ne duhet të ndërtojmë një qëndrim të përbashkët që bashkëkombësit tanë të realizojnë të drejtat e tyre kombëtare në shtetin fqinj”, tha Pavle Trajanov, kryetar i Lidhjes Demokratike.

Ose të gjithë për ndryshime, ose të gjithë të dështuar!

Aktualisht shumica parlamentare është stabile, por nuk ka vota të mjaftueshme për ndryshim të kushtetutës.
Nuk është koha për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sepse ato janë një procedurë tjetër, nuk kanë të bëjnë me amendamentet kushtetuese dhe nuk do të ketë. Të gjitha partitë politike duhet të jenë të vetëdijshme se vazhdimi i rrugës evropiane të vendit është çështje e sigurimit të një të ardhmeje më të mirë për qytetarët. Nga ne varet nëse për gjeneratat e ardhshme në këtë vend do të sigurojmë anëtarësimin në BE sa më shpejt të jetë e mundur. A do t’i kthejmë të gjitha kapacitetet tona drejt zhvillimit të negociatave të suksesshme dhe të bëhemi anëtar i plotë i BE-së deri në vitin 2030 me të gjitha kapacitetet tona. Anëtarësimi në BE nuk është vetëm çështje politike, nuk është vetëm integrim në vetvete, është çështje e sigurimit të një të ardhmeje më të mirë për gjeneratat tona.

Prandaj, ose të gjithë duhet të bashkohen për ndryshime, ose të gjithë do të dalin të dështuar e do të futen në labirinthin pa krye ngjashëm siç humbën 30 vite me Greqinë. Më e mira është të mësojmë nga e kaluara e jo ta përsërisim të kaluarën.

Show More

Related Articles

Back to top button