LajmeRajon

BE-ja përforcon praninë e EULEX-it në Kosovë pas tensioneve të fundit

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të martën në mbrëmje se një njësi karabinierësh italianë ka arritur ne Kosovë për të siguruar sundimin e ligjit në dritën e zhvillimeve të reja në veriun e Kosovës, pas tërheqjes së punonjësve serbë nga të gjitha institucionet vendase.

“Në këto kohë të tensionuara në Kosovë, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX përmbush detyrën e tij për të garantuar qëndrueshmëri. Forca Evropiane e Xhandarmërisë, pjesa e Karabinierëve zbarkoi sonte që përkohësisht ta përforcojë Njësinë Policore të EULEX-it në Kosovë. EULEX do të vazhdojë që të mbështesë një mjedis të sigurt”, shkroi zoti Borrell në Twitter.

Karabinierët do t’i bashkohen Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it, e përbërë prej 105 zyrtarëve policorë polakë, që kanë shtuar patrullimet në veri, ku nuk ka më pjesëtarë të policisë nga radhët e komunitetit serb, pas vendimit të Listës Serbe, subjektit kryesor të politikë të serbëve të Kosovës për t’u tërhequr nga institucionet e vendit, pas mospajtimeve rreth një vendimi të qeverisë qendrore në Prishtinë për t’i dhënë fund përdorimit të targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Misioni i EULEX-it tha të hënën se po vëzhgon nga afër të gjitha zhvillimet që mund të kenë ndikim mbi sigurinë e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve, ndërsa mohoi të ketë marrë përsipër përgjegjësi policore në veriun e Kosovës.

Beogradi akuzon Prishtinën për mospërmbushje të marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa Prishtina akuzon Beogradin se po përdorë serbët lokal për të shmangur një marrëveshje normalizimi ndërmjet palëve.

Perëndimi është i shqetësuar se Rusia mund të përpiqet të nxisë konflikte në Ballkanin Perëndimor dhe po u bën thirrje palëve të zgjidhin mosmarrëveshjet në bisedimet e lehtësuara nga BE-ja që është edhe adresa e aspiratave të tyre për integrim.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja u kanë bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë të zgjedhin rrugën e bisedimeve dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe përplasje. /VOA

Show More

Related Articles

Back to top button