Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut rrisin shpenzimet
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kroacia është shpenzuesja më e madhe për ushtri, si në përqindjen nga Prodhimi Bruto Vendor që ndan për mbrojtje, ashtu edhe në vlerë totale. Në vitin 2022 Zagrebi pritet të shpenzojë 1.4 miliardë dollarë në sektorin e mbrojtjes. Në raport me Prodhimin Bruto Vendor, shpenzimet e Kroacisë për mbrojtje përbëjnë rreth 2.03% të PBV-së. Kështu Kroacia tejkalon rekomandimin e NATO-s, që të paktën 2% nga PBV të destinohen për mbrojtje.
Tri vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi nuk e arrijnë parametrin e rekomanduar. Maqedonia e Veriut shpenzon për mbrojtje 1.78% nga Prodhimi Bruto Vendor, Mali i Zi 1.75%, ndërsa Shqipëria vetëm 1.62%.
Në vlerë monetare, Shqipëria pritet të shpenzojë 293 milionë dollarë për ushtri këtë vit. Maqedonia e Veriut 247 milionë dollarë dhe Mali i Zi 107 milionë dollarë.
Të katër vendet kanë rritje në krahasim me vitin paraprak. Në vitin 2021, Kroacia shpenzoi 1.36 miliardë dollarë, Shqipëria 224 milionë dollarë, Maqedonia e Veriut 204 milionë dhe Mali i Zi 91 milionë dollarë.
Shpenzimet më të mëdha shkojnë për paga
Pagat në sektorin e mbrojtjes përbëjnë pjesën më të madhe të shpenzimeve të vendeve ballkanike. Kroacia shpenzon 54.6% të buxhetit të saj të mbrojtjes për paga, 30.5% për mjete ushtarake, 11.8% për operacione dhe mirëmbajtje ndërsa 3.2% për infrastrukturë.\Almakos\