Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Francë, ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris krahas liderëve të tjerë botërorë e udhëheqësve të organizatave ndërkombëtare.
Siç bën të ditur njoftimi i zyrës së Presidences, Osmani në këtë forum është ftuar së bashku me Zotërinë e Parë, z.Prindon Sadriu.
Osmani do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti Macron dhe Zonja e Parë e Francës, që do t’i drejtohet panelit të diskutimit mbi bashkëpunimin e kontinentit tonë me presidenten e Hungarisë, Kaltin Novak si dhe Jean- Marie Guehenno.
Njashtu, siç njofton Zyra e Presidences, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë, për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalim të sfidave aktuale të paqes dhe sigurisë.
Ndërkohë edhe kryeministri Kurti të mërkurën në mbrëmje në një video të publikuar në rrjetet sociale, tha se do të shkojë në Paris me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron.
“Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje”, tha ai duke nënvizuar se është “i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”.
Ai tha se janë dy propozime në tryezë: “ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne. Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë”, tha kryeministri Kurti.
Më herët të mërkurën presidenti serb Aleksandar Vuçiç u tha mediave në Beograd se pret të diskutojë me shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell dhe të dërguarin evropian Miroslav Lajçak, por nuk përmendi mundësinë e ndonjë takimi me kryeministrin Kurti.
Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u shtuan pas vendimit të qeverisë së zotti Kurti për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia që përdoren nga qytetarët serbë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Pezullimi i drejtorit rajonal të policisë në zonë për shkak të refuzimit për të zbatuar vendimin për targat që filloi me 1 nëntor, nxiti reagimin e përfaqësuesve serbë të cilët pas këshillimit me Beogradin, u tërhoqën nga të gjitha institucionet e Kosovës.
Kryeministri Kurti tha gjatë javës se Serbia po përpiqet të maskojë refuzimin e nismës franko-gjermane për një marrëveshjeje normalizimi ndërmjet të dyja palëve, duke bërë përpjekje të destabilizojë situatën ne veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Ky pohim i tij ishte një referim i qartë në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili tha se Beogradi e ka refuzuar planin franko – gjerman i cili niset nga pohimi se Kosova është shtet i pavarur.
Vlen të theksohet, se edicioni i pestë i Forumit të Paqes në Paris do të mbledhë liderë nga mbarë bota, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare, bizneseve, bankave zhvillimore për të diskutuar eliminimin e krizave të shumëfishta globale, duke promovuar forcimin e bashkëpunimit dhe multilateralizmit.