LajmeMaqedoni

Pendarovski: Duhet angazhim i të gjithë faktorëve për krijimin e kushteve për të rinjtë

Presidenti Stevo Pendarovski dhe Afshan Kan, drejtoresha rajonale e UNICEF-it për Evropë dhe Azi Qendrore u takuan me aktivistë të rinj dhe diskutuan për sfidat aktuale me të cilat përballen të rinjtë në vend.

Siç informuan nga kabineti i Pendarovskit, pjesëmarrësit biseduan për rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve, përballjen me ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor, avancimin e cilësisë së arsimit dhe përfitimin e shkathtësive tek të rinjtë, shëndetin mendor dhe dhunën mes moshatarëve. Këto tema u identifikuan si fusha në të cilat të rinjtë mund të kontribuojnë me aktivitete konkrete.

Në fjalimin e tij përshëndetës Pendarovski e ceki rëndësinë e proaktivitetit të këtillë të gjeneratës së sotme të të rinjve në drejtim të përballjes me çështjet më të hidhura të cilat paraqesin barriera të llojit të vet në zhvillimin e tyre personal apo kolektiv.

Në atë kontekst e përmendi edhe nevojën e përkushtimit maksimal të të gjithë faktorëve relevantë në shtetin tonë në njohjen e momentumit dhe kultivimin e potencialit tek të rinjtë, duke vendosur nisma, projekte dhe platforma të cilat do të mundësojnë rrjetëzimin e tyre drejt kontributit të përbashkët. Kjo, sipas presidentit, është një nga parakushtet kyçe për krijim të politikave afatgjata dhe strategjive të cilat do të çojnë drejt përparimit të përgjithshëm të shoqërisë sonë.

Drejtoresha rajonale e UNICEF-it për Evropë dhe Azi Qendrore, Afshan Kan shprehi kënaqësi që të rinjtë mund të gjejnë zgjidhje për çështjet që janë më të rëndësishme për ta, ndërsa me nismat e këtilla u mundësohet të rriten në qytetarë rezistentë dhe aktivë. Duke e cekur nevojën e nxitjes së mëtutjeshme të kontributit të të rinjve në zgjidhjen e sfidave të sotme, ajo e ceki rëndësinë e bashkëpunimit të UNICEF-it me Kabinetin e presidentit në drejtim të krijimit të hapësirës që të rinjtë ta formojnë ardhmërinë që e dëshirojnë.

Në disa vitet e kaluara presidenti Pendarovski dhe UNICEF-i dukshëm, me një sërë aktivitetesh, e përforcuan bashkëpunimin afatgjatë në drejtim të avancimit të të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në vend.

Vitin e kaluar u realizua nisma e përbashkët “Rimendoje të ardhmen”, e cila u mundësoi të rinjve, duke inicuar çështje që janë me rëndësi për ta, të marrin pjesë aktivisht në definimin e vizionit për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.

Në takim, të rinjtë e ndanë përvojën e vet në pjesëmarrjen në nisma të tjera siç janë Samiti rinor për ndryshime klimatike, programi UPSHIFT, Prespa forumi për dialog, U-Report, Samiti për transformim të arsimit, Ditën botërore të fëmijës 2021, si dhe në nismën Përfaqësues rinorë për drejtësi për fëmijët.

Show More

Related Articles

Back to top button