LajmeMaqedoni

Grubi: Gjuha shqipe zyrtare në tre shtete

 Zëvendëskryetari i pare i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi sot ka qenë pjesëmarrës në Konferencën jubilare në nderë të 50 vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe që u mbajt në Tiranë nën organizim të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

“Unifikimi i gjuhës shqipe ishte i rëndësisë jetike edhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, sepse u vendos si standard i përgjithshëm i përdorimit që vlente edhe për ne. Gjuha shqipe ka rëndësi do të thosha dy dimensionale: I pari është dimensioni kulturor e shpirtëror pasi që kjo gjuhë flitet nga mbi 30 % e popullsisë në mënyrë aktive dhe dimensioni i dytë është ai shoqëroro politik, pasi që gjuha shqipe është zyrtare në nivel lokal dhe qendror. Me ndryshimet e fundit të Ligjit të gjuhëve, gjuha shqipe vihet në përdorim të plotë zyrtar në të gjitha nivelet, përfshirë Presidencën, Kuvendin dhe Qeverinë”, ka theksuar mes tjerash Grubi.

Në vazhdim fjalimi i plotë:

Kënaqësi e veçantë të marr pjesë në një Konferencë të tillë jubilare mbi unifikimin e gjuhës tonë.

Unifikimi i gjuhës shqipe ishte i rëndësisë jetike edhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, sepse  u vendos si standard i përgjithshëm i përdorimit që vlente edhe për ne.

Në këtë fushë sigurisht që do të flasin më shumë ekspertët e nderuar që janë këtu me ne.

Unë dua të them disa fjalë nga aspekti i përdorimit zyrtar të gjuhës sonë amtare në Maqedoninë e Veriut.

Tek ne, gjuha shqipe ka rëndësi do të thosha dy dimensionale: I pari është dimensioni kulturor e shpirtëror pasi që kjo gjuhë flitet nga mbi 30 % e popullsisë në mënyrë aktive dhe dimensioni i dytë është ai shoqëroro politik, pasi që gjuha shqipe është zyrtare në nivel lokal dhe qendror.

Në institucionet publike fillohet nga çerdhet, shkollat fillore dhe ato të mesme, duke vazhduar me tre  Universitete, dy nga të cilët janë shtetërore dhe njëri publiko privat dhe natyrisht edhe në disa nga Universitetet private të cilat ofrojnë mësim edhe në gjuhën shqipe.

Me ndryshimet e fundit të Ligjit të gjuhëve, gjuha shqipe vihet në përdorim të plotë zyrtar në të gjitha nivelet, përfshirë  Presidencën, Kuvendin dhe Qeverinë.

Televizioni dhe radio shtetërore emetojnë program 24 orë në ditë vetëm në gjuhën shqipe, ndërsa gjuha jonë përdoret edhe në dokumentet e identifikimit, proceset zgjedhore, pushtetin gjyqësor e kështu me radhë.

Kemi formuar edhe institucione që kujdesen për zbatimin e gjuhës shqipe, siç është Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve, Inspektorati shtetëror i Gjuhës si dhe Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Jemi me fat sepse kemi një veçanti nga të gjitha trojet tjera shqiptare, nga Lidhja e Prizrenit, tek Kongresi i Manastirit dhe deri te pavarësia e Vlorës. Në këtë mënyrë Maqedonia e Veriut vendoset në hartën e tre ngjarjeve më të rëndësishme historike kombëtare.

Dua të theksoj që në Manastir kemi ngritur një institucion kombëtar, Muzeun e Shtëpisë e Alfabetit që financohet nga buxheti i shtetit. Tek ne, 22 nëntori është ditë feste shtetërore si dhe ndajmë çmim shtetëror Kongresi i Manastirit.

Në fund, dua të falënderoj Presidentin Begaj dhe Akademinë për organizimin e këtij eventi shumë të rëndësishëm dhe ju uroj punë të mbarë.\Lajm\

Show More

Related Articles

Back to top button