LajmeMaqedoni

Mitsotakis: Prioriteti i parë duhet të jetë zgjidhja mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, të mos kapërcehet radha për në BE

Të mos kapërcehet radha për në BE, të mos harrohet Ballkani Perëndimor, prioriteti i parë duhet të jetë zgjidhja e mosmarrëveshjes midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Këto mesazhe i dërgoi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis duke folur për perspektivën e mundshme në BE të Ukrainës dhe Moldavisë gjatë një diskutimi në Kongresin e 27-të të Partisë Popullore Evropiane në Roterdam, transmeton Portalb.mk.

Mitsotakis shpjegoi se debati për anëtarësimin e ardhshëm të Moldavisë dhe Ukrainës në BE do të zhvillohet brenda një muaji dhe theksoi se diskutimi nuk do të jetë i lehtë sepse, siç tha ai, tashmë ndjen se ka qëndrime të ndryshme në Këshillin Evropian.

Ai shtoi se nëse vërtet ekziston një botë para dhe pas 24 shkurtit, kjo duhet të merret parasysh kur mendohet në lidhje me atë se sa BE-ja dëshiron të jetë e hapur dhe t’iu ofrojë statusin kandidat Moldavisë dhe Ukrainës.

“Nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë Ballkanin Perëndimor. Kjo është një temë që na prek thellë. Duhet të sigurohemi që të mos dërgojmë sinjal se radha është ndërprerë. Prioriteti i parë që kemi në këtë drejtim është që t’i japim zgjidhje çështjes së hapur mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që ne si Bashkim Evropian të fillojmë negociatat përkatëse me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha Mitsotakis.

Kryeministri grek theksoi se duhet njohur veçantia e asaj që ndodhi në Ukrainë, por pa harruar faktin se ka edhe vende të tjera në proces.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Show More

Related Articles

Back to top button