Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq tha se Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina nuk duhet të jenë në “vagonn e fundit në trenin për në Bashkimin Europian”, përcjell Gazeta Express.
Këto deklarata Plenkoviq i bëri në një panel të mbajtur në kuadër të Kongresit të Partive Popullore Europiane (EPP) në Roterdam, shkruan agjencia kroate e lajmeve, Hina.
Aty u diskutua për anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në BE. Plenkoviq shprehu mbështetjen e shtetit të tij për zgjerimin.
Plenkoviq tha se EPP duhet të punojë për t’i trajtuar çështjet “themelore” që Bosnja duhet t’i adresojë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, si miratimi i një “ligji të drejtë zgjedhor” për t’i bërë të tre popujt përbërës të ndihen “mirë dhe rehat” në një shtet..
“Ne duhet të vazhdojmë të insistojmë në këto çështje sepse është thelbësore”, tha Plenkoviq, duke iu referuar kërkesës për ndryshimin e Ligjit Zgjedhor.
Duke folur për luftën në Ukrainë, Plenkoviq theksoi se Perëndimi i ka ofruar asaj “ndihmë të jashtëzakonshme”. Ai përmendi edhe luftën e Kroacisë me Serbinë në vitet e 90-ta.
“E them këtë si dikush nga një vend që ishte gjithashtu viktimë e agresionit. Në vitet e 90-ta, jo vetëm që nuk pamë një mobilizim të tillë të bashkësisë ndërkombëtare, por duhej të mbroheshim nën embargon e OKB-së për importin e armëve”, tha kryeministri kroat.