LajmeRajon

Escobar, i ashpër me Kosovën: Përmbushni kërkesat e Perëndimit! “Përplaset” me Kurtin

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar u tregua i ashpër me Kosovën duke thënë se ajo nuk ka rrugë tjetër, përveçse duhet të përmbushë kërkesat perëndimore për çështjen targave të makinave dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Beogradit ndërkohë i tregoi se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk sjell asnjë të mirë.

Zyrtari i lartë i administratës amerikane e cilësoi si mjaft të rrezikshme situatën në veriun e Kosovës ku institucionet vendase kanë mbetur pa punonjës serbë, të cilët u larguan pas mosmarrëveshjeve për targat. Ne kemi qenë shumë të qartë dhe të hapur se çfarë presim nga të dyja palët, tha Escobar në një intervistë për VOA-n.

“Nga pala e Kosovës kemi kërkuar një periudhë njëvjeçare zbatimi për të bërë një fushatë publike të njoftimit dhe për të përgatitur komunitetin e prekur, që të jetë i gatshëm të ndërrojë targat e makinave. Ne po ashtu po u bëjmë thirrje që të fillojnë ta vënë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në rend dite. Kjo është një kërkesë. Nga pikëpamja jonë dhe ajo e partnerëve të Quintit, kjo është një kërkesë dhe ne do të ngulim këmbë. Nga pala serbe, ne mendojmë se çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe largimi i serbëve nga institucionet nuk është i dobishëm. U bëj thirrje palëve që të jenë gati të përmbushin këto çështje menjëherë.”- tha Escobar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh në fillim të javës se Serbia po përpiqet të maskojë refuzimin e nismës franko-gjermane për një marrëveshje ndërmjet të dyja vendeve duke bërë përpjekje të destabilizojë situatën ne veriun e Kosovës. Escobar i cili e mbështet propozim franko-gjerman nuk është dakord me të.” Sa i përket propozimit franko-gjerman është shumë herët për ne që të peshojmë përgjigjet. Kjo situatë, kjo krizë duhet të trajtohet për atë që është. Janë tensione që po rriten për shkak të mungesës së komunikimit, mungesës së bashkërendimit dhe mungesës së vullnetit për të marrë pjesë dhe për t’u angazhuar plotësisht në dialog”, ishte komenti i tij.

Show More

Related Articles

Back to top button