LajmeMaqedoni

Snopçe/I kërkojmë Oliver Spasovskit që menjëherë të dorëzojë dorëheqjen, për dhënien e nënshtetësisë Onishçenkos

Aleanca për Shqiptarët përmes një konference për media, kanë kërkuar dorëheqje të menjëhershme pas një informate se i është dhënë nënshtetësi një politikani rus i icli kërkohet nga Ukraina. Ai është arratisur dhe gjendet madje edhe në listën e sanksioneve të SHBA-ve ndërsa sipas ASH-së, ai është bërë me nënshtetësi të Maqedonisë.

Bëhet fjalë për Aleksander Onishçenko, ish deputet në parlamentin e Ukrainës. Ai kishte ikur në vitin 2016 pasi kundër tij ishte hapur një hetim për pastrim të parave. Atij asnjë vend nuk i ka ofruar mbrojtje ligjore.

Onishçenko është në listën e urdhër-arresteve të Ukrainës që atëherë dhe që nga janari 2021 ai është gjithashtu në listën e sanksioneve të SHBA-ve si “anëtar i rrjetit rus për ndikim në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve” të vitit 2020 që ka tentuar të sabotojë fushatën e Presidentit Biden.

Në vijim keni deklaratën e plotë të deputetit Halil Snopçe:

Kemi thirrur këtë konferencë urgjente për shtyp, sepse jemi jashtëzakonisht të alarmuar nga raportimet e mediave se një politikan rus i arratisur dhe i kërkuar nga Ukraina dhe që është në listën e sanksioneve të SHBA-së, ka fituar shtetësinë e Maqedonisë së Veriut përmes një vendimi plotësisht jotransparent nga ana e Qeverisë.

Aleksander Onishçenko është një ish-deputet i parlamentit të Ukrainës, i afërt me ish-presidentin Viktor Janukoviç, një kukull e Vladimir Putinit. Onishçenko u largua nga Ukraina në vitin 2016 pasi komisioni ukrainas kundër korrupsionit hapi hetim ndaj tij për pastrim parash dhe korrupsion. Ai është në ekzil që atëherë dhe asnjë vend perëndimor nuk i ka ofruar mbrojtje ligjore.

Onishçenko është në listën e urdhër-arresteve të Ukrainës që atëherë dhe që nga janari 2021 ai është gjithashtu në listën e sanksioneve të SHBA-ve si “anëtar i rrjetit rus për ndikim në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve” të vitit 2020 që ka tentuar të sabotojë fushatën e Presidentit Biden.

Pas futjes në listën e sanksioneve amerikane, Onishçenko menjëherë ka aplikuar për shtetësi të Maqedonisë së Veriut, në përputhje me nenin 11 të Ligjit për Shtetësinë që ka të bëjë me dhënien e shtetësisë në bazë të kritereve sportive. Onishçenko është një sportist i kërcimit me kalë dhe tani përfaqëson vendin tonë në garat ndërkombëtare.

Shtatëmbëdhjetë muaj pas aplikimit nga ana e Onishçenkos, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e 44-të të datës 31 maj 2022, nëpër terr dhe pa raportuar për këtë vendim, i ka dhënë shtetësinë oligarkut rus.

Disa institucione janë të përfshira në përgatitjen e rekomandimit pozitiv që Onishçenko të marrë shtetësinë e Maqedonisë së Veriut: Federata e Sporteve të Kuajve, Komiteti Olimpik, Agjencia për Sport dhe Rini, si dhe Agjencia e Sigurisë Nacionale.

Ky është një skandal i madh me pasoja ndërkombëtare, që minon drejtpërdrejt regjimin e sanksioneve të SHBA-së dhe politikën e jashtme të BE-së. Ky vendim dëmton gjithashtu rrugën tonë për anëtarësim në BE pasi që mesazhi është se Maqedonia e Veriut përdoret nga kriminelët e kërkuar nga shtetet tjera për të anashkaluar përpjekjet e aleatëve tanë për të izoluar oligarkët e Putinit në mes të agresionit rus ndaj Ukrainës. Veç kësaj, përafrimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së nuk do të thotë asgjë nëse qeveria merr vendime të tillë që dëmtojnë drejtpërdrejt sanksionet e aleatëve tanë.

Për keto arsye:

I bëjmë thirrje Qeverisë që menjëherë të anulojë vendimin për dhënien e shetësisë Onishçenkos.
Kërkojmë nga drejtuesit e katër agjencive përkatëse që të dorëzojnë menjëherë dorëheqjet e tyre, veçanërisht drejtori i Agjencisë së Sigurisë Nacionale, i cili me opinion pozitiv për Onishçenkon ka rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë nacionale.

Kërkojmë nga ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski, që menjëherë të dorëzojë dorëheqjen e tij për arsye morale, për vënien në rend të ditës të qeverisë në mënyrë krejt jotransparente dhe qyqare të kërkesës për shtetësi të Onishçenkos dhe vendimin pozitiv që është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me detyrimet ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut.

Halil Snopçe, Aleanca për Shqiptarët

Show More

Related Articles

Back to top button