Fakulteti i turizmit në Ohër po mbetet pa studentë. Për dhjetë vjet, numri është përgjysmuar. Ata janë personat përkatës që duhet të punojnë në sektorin e turizmit në qytet, që tani po përballet me mungesë serioze të kuadrove cilësore dhe profesionale. Për dallim nga më herët, kur ishte përplot me studentë nga mbarë Maqedonia, tani numri i tyre është reduktuar në minimum.
“Krahasuar me vitin e kaluar ulja është nga 7 deri në 8%, por në krahasim me atë që kishim 10 vite më parë është ulje prej 40%. Arsyet janë të shumta. Deri në vitin 2007 disa universitete në vend nuk ekzistonin si për shembull Universiteti i Shtipit, universiteti “Nënë Tereza”, numër i caktuar i universiteteve private. Tani në pesë universitete kemi programe studimore në turizëm, kemi programe studimore në doganë, shpedicion dhe sigurim”, tha Cvetko Andreeski- profesor në Fakultetin e turizmit.
Për shkak të mungesës së kuadrove profesionale, mbështetet ideja e importit të fuqisë punëtore. Këtë verë mungesën e plotësuan nxënësit e shkollave të mesme.
“Fatkeqësisht, në Maqedoni do të gjendemi në situatë ku duhet të importojmë fuqi punëtore në turizëm dhe duhet të fillojmë të punojmë për tejkalimin e këtij problemi. Gjithnjë e më shumë të rinj, veçanërisht ata që studiojnë turizëm dhe hoteleri punojnë në Kroaci, tani është një nga destinacionet më tërheqëse për punë gjatë verës, sepse pagat dhe kushtet që ua ofrojnë njerëzve që shkojnë nga Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Bosnja, janë shumë më të larta, për standardet që ne mundemi t’i ofrojmë këtu”, deklaroi Igor Peshevski- kryetar i parlamentit studentor në Fakultetin e Turizmit- Ohër.
Rënia e numrit të studentëve është tendencë e pranishme në të gjitha universitetet dhe është pasojë e rënies së numrit të maturantëve në nivel shtetëror.