LajmeRajon

Haradinaj: Rada Trajkoviq po kërcënohet se e tha të vërtetën, t’i ofrohet mbrojtje e armatosur 24 orë

Ish-kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i ofrojë menjëherë mbrojtje të armatosur 24 orë politikanes serbe, Rada Trajkoviq.

Kreu i radikalëve të Serbisë, Vojislav Sheshel, ka kërcënuar haptas me jetë politikanen serbe, Rada Trajkoviq.

Haradinaj, thotë se Qeveria e Kosovës duhet t’i sigurojë mbrojtje Trajkoviqit pas kërcënimeve që po i merr nga Beogradi.

“E VËRTETA nga Rada Trajkoviq: “Vuçiq dhe kreu i mafies veriore të Kosovës vendosën që serbët të largohen nga institucionet e tyre legale dhe legjitime, në mënyrë që bandat mafioze ta kontrollojnë veriun. Qeveria e Kosovës duhet t’i ofrojë menjëherë mbrojtje të armatosur 24 orë Radas pas kërcënimeve publike me jetë të Sheshelit ndaj saj!”, ka shrkuar ajo.

Trajkoviq së fundmi i shprehu në një intervistë komentet për situatën në veri të Kosovës.

“Presidenti i shtetit me kreun e mafies për veriun e Kosovës merr vendim që serbët të largohen nga institucionet legale dhe legjitime, që policia e armatosur ligjërisht dhe legjitime të largohet nga pozitat e veta dhe që në thelb, veriu i Kosovës në këtë moment është i kontrolluar nga mafia”, ka thënë Trajkoviq.

Sheshel ka akuzuar Trajkoviqin se bashkëpunon me Qeverinë e Kosovës, e më pas ka folur për mundësinë që ajo të vritet, si politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Ky është konsideruar kërcënim i hapur që Sheshel po ia bën publikisht politikanes, që kundërshton pushtetin serb.

Oliver Ivanoviq është vrarë në vitin 2018 në veri të Kosovës. Ndër të dyshuarit për vrasjen e tij është edhe Milan Radojqiq, dikur i njohur si “nëntoka” e veriut, që së fundmi mbahet afër nga Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq. Radojqiq është i arratisur në Serbi, pasi autoritetet kosovare kanë lëshuar fletarrest ndaj tij.

Show More

Related Articles

Back to top button