Anëtarë të partisë Alternativa sot në mëngjes kërkuan dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë, Bekim Sali duke kërkuar nga kryetari i kësaj partie, Afrim Gashi që të mundësojë shkarkimin e ministrit, i cili sipas tyre, nuk ka punuar ashtu si duhet në këtë dikaster, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Tash e disa muaj është i njoftuar edhe kryetari i partisë, z. Afrim Gashi, i cili akoma asgjë nuk ka marrë në këtë drejtim. Andaj apelojmë deri tek kryetari i partisë, komfor kompetencave që ka dhe obligimeve me të cilat e obligon statusi i partisë, që në afat prej 10 ditëve të inicioje shkarkimin e ministrit përndryshe, përgjegjësia për hapat e mëtutjeshme, dëmet dhe pasojat në parti do të bien ekskluzivisht mbi të”, tha më herët Meriton Civuli nga Alternativa duke shtuar se në kërkesën e tyre janë nënshkruar 11 persona.
I mënjëhershëm ishte reagimi i partisë Alternativa për këtë temë duke thënë “Pas kërkesës së sotme të disa aktivistëve të Degës së Alternativës në Çair, që kishin vërejtje për punën e ministrit të Shëndetësisë, Dr. Bekim Sali, dëshiroj të shpjegoj për opinionin se në organet e degës së Çairit nuk ka pasur asnjë ankesë dhe pakënaqësi ndaj asnjë funksionari të partisë. As në Kryesinë e Degës e as në Kuvendin e Degës, që është mbajtur para do kohe, nuk ka pasur asnjë vërejtje dhe ky reagim i sotëm nuk ka të bëjë me Degën e Çairit, por mund të jetë rezultat i pakënaqësive personale”, Faton Fazliu, kryetar i Degës Çair.
“Sidoqoftë, unë dua të kujtoj se, sipas Statutit të partisë, çështja e emërimit dhe shkarkimit të funksionarëve të partisë nuk është në kompetencë të degëve, por është e drejtë e Kryesisë Qendrore
të Alternativës. Si kryetar i Degës së Çairit, e përgëzoj ministrin e Shëndetësisë, Dr. Bekim Sali, për punën e deritanishme dhe i dëshiroj suksese”, shkruhet në njoftimin e Fazliut. /Telegrafi/