Presidentja Vjosa Osmani, pas takimit me përfaqësues të partive politike, ka thënë se është diskutuar data 18 dhjetor, si më e mundshmja për t’u mbajtur zgjedhjet në katër komunat veriore, ku janë tërhequr kryetarët e tyre.
“Takimi i sotëm, ku janë ftuar të gjitha partitë që kanë përfaqësim në Kuvend, dhe të gjitha partitë që janë të regjistruara në regjistrimin e KQZ-së, me seli në komunat ku do të mbahen zgjedhjet, u ftuan sot për të diskutuar datën e zgjedhjeve”, ka thënë Presidentja.
Osmani ka thënë se, sipas ligjit, data e fundit për t’i shpallur zgjedhjet është data e nesërme.
Presidentja tregoi se janë diskutuar dy data të mundshme për t’u mbajtur zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
“Nga të gjitha partitë prezentë, kërkova mendim rreth datës 18 dhjetor, sepse është data e fundit që lejohet”, ka thënë Osmani, duke shtuar se e ka zgjedhur këtë datë sepse do të jepej më shumë hapësirë për organizim.
“Opsion tjetër është data 11 dhjetor”, thotë Presidentja.
“Sipas të gjitha gjasave, do të shkojmë me datën 18, sapo t’i kemi konfirmimet e duhura nga KQZ, që gjithçka është në rregull me këtë datë sa i përket përgatitjeve, por edhe nga institucionet e sigurisë”, tha Presidentja.