LajmeRajon

Kurti nga Shtutgarti: Sundimi i ligjit dhe rritja ekonomike janë prioritete të dëshmuara të Qeverisë

Në ditën e parë të qëndrimit të tij në Shtutgart të Gjermanisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë hapëse të Forumit Ekonomik Global Connect 2022, ku mbajti edhe një fjalë rasti.

Ai i falënderoi organizatorët për ftesën dhe për mundësinë që i kanë dhënë Kosovës që të jetë pjesëmarrëse në këtë Forum.

Në fjalën e tij, Kurti foli për mundësitë që Kosova ofron për investitorët e huaj dhe vlerat që ndanë me Bashkimin Evropian. Ai tha se vendi ynë ka një qeveri demokratike dhe institucione të qëndrueshme që përbëjnë bazë të favorshme për investitorë që synojnë investime të qëndrueshme dhe kthim të tyre.

Si një nga përparësitë e Republikës së Kosovës, Kurti e veçoi kapitalin njerëzor. “Me 2/3 e popullatës nën moshën 35-vjeçare, fuqi punëtore të talentuar dhe të motivuar dhe që flet gjuhë të huaja, Kosova paraqet një mundësi shumë të mirë për bizneset gjermane”, thuhet në komunikatë. Me këtë rast, ai u bëri ftesë përfaqësuesve të bizneseve që të vizitojnë Kosovën.

Duke iu referuar raporteve ndërkombëtare si ai i Transparency International, Reporterët pa Kufij dhe Projekti i Drejtësisë Botërore dhe indikatorëve ekonomikë, kryeministri tha se qeverisja e mirë, sundimi i ligjit dhe rritja ekonomike janë prioritete të dëshmuara të Qeverisë.

Kurti po ashtu vizitoi edhe shtandin e Republikës së Kosovës në këtë forum dhe përshëndeti përfaqësuesit e KIESA-s dhe Unionit të Bizneseve.

Global Connect është një forum ekonomik për eksport dhe ndërkombëtarizimin e ndërmarrjeve në Gjermani, të cilat janë të interesuara për zgjerimin e veprimtarisë së tyre kryesisht jashtë vendit. Ai është forumi i vetëm i këtij formati në Gjermani dhe ofron mundësinë e ndërlidhjes së afaristëve dhe krijimin e kontakteve të reja. Në kuadër të forumit, i cili po mbahet sot është dhënë mundësia që Republika e Kosovës të ketë shtandin e vet për të prezantuar mundësitë e saj për investitorët gjermanë dhe të tjerë.

Show More

Related Articles

Back to top button