LajmeRajon

Serbia nuk e voton rezolutën kundër Rusisë në OKB, argumenti i tyre është “insistimi i Kurtit në reparacione të luftës”

Serbia ka abstenuar gjatë votimit të një rezolute në OKB ku kërkohet që Rusia të paguajë reparacione të luftës ndaj Ukrainës, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.

E përditshmja opozitare serbe “Nova” thotë të ketë mësuar nga burime diplomatike të tyre se ky vendim i Serbisë për të abstenuar erdhi si pasojë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkon që Serbia të paguajë reparacionet e luftës në Kosovë.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi së fundmi një rezolutë ku thuhet se Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për sulmin ndaj Ukrainës dhe duhet t’i paguajë dëmshpërblimet e luftës Kievit.

Për këtë rezolutë votuan 94 anëtarë të OKB-së, ndërsa abstenuan 73 vende, përfshirë edhe Serbinë. Menjëherë u ngrit pyetja se pse Serbia abstenoi dhe cilat ishin motivet e një vendimi të tillë.

Sipas burimeve diplomatike të kësaj gazete, Serbia u zmbraps në mënyrë që Kryeministri i Kosovës Albin Kurti të mos e përdorte këtë si argument për të “ri-imponuar” çështjen e reparacione të dëmeve të luftës gjatë viteve të nëntëdhjeta.

“Pala serbe e ka përçuar këtë argument ndaj partnerëve tonë perëndimorë”, shkruan Nova, përçka thotë se sipas burimeve të tyre “ata e mirëkuptuan vendimin në fjalë”.

“Serbia nuk mund ta votonte atë propozim për shkak se po vendosim precedan të madh, duke e pasur ndërmend se Kurti ngul këmbë në reparacionet e dëmeve të luftës”, i ka thënë ky burim gazetës serbe.

“Kjo s’mund të jetë tani për tani në interes të Serbisë”, ka thënë mes tjerash ky burim.

Kryeministri i Kosovës, kaherë ka kërkuar që Serbisë duhet t’i kërkohet t’i paguajë dëmet e luftës që ka shkaktuar në Kosovë.

Kërkimfalja dhe dëmet e luftës, kanë qenë lartë në listën e kërkesave të Kurtit./Reporteri.net/

Show More

Related Articles

Back to top button