Mbi 100 projekte me vlerë rreth 2,5 milion euro planifikohen për vitin e ardhshëm. Këtë e parasheh Propozim Programa Zhvillimore e Komunës së Gostivarit për vitin 2023, e cila pasi u prezentua përpara këshilltarëve komunal, ngjalli reagime dhe debat që zgjati mbi një orë. Derisa opozita akuzonte se projektet e parapara të gjitha janë copy-paste nga vitet paraprake, shumica pohonte se edhe në kohë krize janë realizuar shumë projekte të dobishme për qytetarët. Azis Dauti, këshilltar i BDI – së, tha se rreth 70 projekte në Programën Zhvillimore për vitin 2023, janë identike bile edhe në renditje me programën e vitit 2022.
“Në seancën e sotme të Këshillit e kishim propozim programën zhvillimore për vitin 2023. Gjatë elaborimit të programës në pjesën thelbësore të saj ishte identike me Programën Zhvillimore të vitit 2022, sidomos pjesa e infrastrukturës. Nuk janë realizuar pjesa dërmuese e projekteve që ishin paraparë dhe të njejtat janë transferuar te Plani Zhvillimor i vitit 2023, pa përjashtuar këtu të gjitha lokalitetet. Ne si grup i këshilltarëve të BDI-së këtë programë e përkrahëm, e votuam, e kemi treguar në esencë se jemi pro edhe të një investimi edhe më të vogël. Shpresojmë që vitin e ardhshëm kur do të mblidhemi sërish për ta votuar Programën Zhvillimore të vitit 2024, të shohim sa më pak projekte të vitit 2023 dhe le të shpresojmë se këto projekte të vitit 2023 të mos ngelin të pa realizuara”, deklaroi Azis Dauti, këshilltarë i BDI-së.
Kryesuesi i Këshillit, njëherit këshilltari i ASH-së, Valbon Limani thekson se vërejtjet e opozitës jo të gjitha ishin me vend. Limani pret që vitin e ardshëm të tejkalohet kriza financiare e shkaktuar nga ajo energjetike dhe të gjitha projektet e parapara kapitale të realizohen.
“Sot kishim një debat të gjatë dhe besojë të frytshëm pasi në fund të gjithë këshilltarët jemi këtu për të votuar programe të cilat e përmirësojnë jetën e qytetarëve në qytetin tonë. Kishte debat të gjatë edhe nga këshilltarët e opozitës të cilët i kishin vërejtjet e veta, normal disa ishin me vend e disa nuk mbanin. Unë dua të them që në vitin e kaluar janë bërë disa punë në Komunën e Gostivarit, megjithatë kemi patur vështirësi sepse ashtu siç dihet këtë vit kishte rritje enorme të çmimit të energjisë elektrike dhe kjo e vështirësoi edhe realizimin e disa projekteve të parapara në vitin 2022. Ne shpresojmë se në vitin 2023 dhe sipas projeksioneve tona, do të përmirësohet situata financiare dhe shumica e pikave të cilat janë të parapara në Programën Zhvillimore për vitin 2023 do të realizohen në vitin në vijim”, deklaroi Valbon Limani, këshilltar i ASH-së.
Propozim Programa Zhvillimore për vitin 2023 kaloi me unanimitet votash. Të gjitha propozimet e reja që erdhën, kryesuesi i Këshillit u kërkoi kolegëve të tij t’i dorëzojnë në formë të shkruar deri në afatin e paraparë që të njejtat të mund të inkorporohen në programën e vitit tjetër e cila është e ndarë në tre segmente: infrastrukturë rrugore, ujësjellës dhe kanalizim dhe investime në arsim. Pjesa më e madhe e projekteve apo mbi 60 përqind janë për infrastrukturën rrugore, gjegjësisht asflatim, riparim dhe mirëmbajtje të rrugëve ekszistuese. Një pjesë e tyre do të shtrohen me pllaka bekatoni, poashtu parashihen edhe trotuare të reja. 20 përqind janë për linja të reja të ujësjellësit dhe kanalizim dhe po aq për investime nëpër shkolla.