Në kuadër të vizitës në Austri, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot është takuar me kryetarin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, me të cilin diskutoi avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Presidentja e vlerësoi lart mbështetjen e Austrisë për Kosovën dhe çmoi faktin se Austria ka qenë ndër përkrahëset e hershme të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri. Ajo i shprehu mirënjohje Austrisë për kujdesin ndaj popullit të Kosovës, në veçanti ndaj arsimit të të rinjve, kur kjo e drejtë po u mohohej në vendin e tyre.
“Populli i Kosovës nuk mund ta harrojë mbështetjen që Austria ua dha të rinjve tanë, duke i njohur diplomat e institucioneve tona të arsimit gjatë periudhës së okupimit, duke u krijuar atyre mundësi të shkëlqyera që ta ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe të kontribuojnë më pas për vendin e tyre. Sot shumë sish janë pjesë e rëndësishme e institucioneve tona”, theksoi presidentja Osmani.
Në këtë frymë, Presidentja ka shfaqur bindjen se Austria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përfundimin e procesit të liberalizimit, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Ndërkaq, kryetari Sobotka e rikonfirmoi vazhdimin e përkrahjes së Austrisë për këto synime.
Me kryetarin e Parlamentit Austriak, Presidentja Osmani diskutoi edhe mbi thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar mes dy vendeve.
Presidentja Osmani theksoi po ashtu se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë për të kontribuar në për paqe dhe siguri të qëndrueshme.
Ndërkaq, sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani tha se ky proces duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke dhe ta ruajë pacenueshmërinë e sovranitetit dhe të rendit kushtetues të Kosovës.
Kryetari i Parlamentit Austriak, Wolfgang Sobotka, e falënderoi Presidenten Osmani për vizitën dhe theksoi se Austria është e përkushtuar për t’i thelluar më tej raportet mes dy popujve dhe vendeve tona, si dhe theksoi gatishmërinë e Austrisë për bashkëpunim të mëtejmë.