Kisha nderin dhe kënaqësinë të pres sot në takim, profesorin me famë ndërkombëtare, Ali Beba, i cili me origjinë është nga qyteti i Gostivarit.
Ai jeton në ShBA momentalisht , ku vepron brenda dhe jashtë këtij vendi për një sërë institucionesh publike dhe private dhe OJQ. Profesor Beba ligjeron mësime për energjinë e rinovueshme, shkenca mjedisore, biznes dhe sipërmarrje në universitete në SHBA, Turqi dhe në Hong Kong, si dhe posedon fondacionin BEBA INNOVATION & ENTREPRENEURSHIP FOUNDATION e cila ofron shërbime për projekte inovative.
Ai njihet ndërkombëtarisht si profesor i shkencave të aplikuara që inkubon kulturën e sipërmarrjes dhe inovacionit duke integruar teorinë shkencore me praktikën në mënyrë që rezultatet e kërkimit të përkthehen në produkte dhe shërbime inovative për të mirën e shoqërive. Interesi i tij kërkimor është i përqendruar në zhvillimin e ekonomive të bazuara në njohuri dhe të qenit pjesë e zgjidhjeve për nevojat më të vështira të njerëzimit në fushën e rritjes së qëndrueshme ekonomike duke përdorur maksimalisht energjinë e pastër dhe mbrojtjen e mjedisit.
Z. Beba shprehet i gatshëm që njohurit dhe përvojën e tij ta sjellë edhe në vendin e tij të origjinës, në Gostivar për të zhvilluar ekonominë lokale dhe si të aplikojmë energjinë e rinovueshme e cila është më se e nevojshme në këtë kohë krize energjetike.
Me këtë rast, në shenjë mirënjohje profesorit Beba i dhurova Çelësin e qytetit të Gostivarit, një simbol që u jepet miqve të qytetit.