Ulja e temperaturave ka bëre që qytetarët e kryeqytetit, por jo vetëm, të thithin ajër më të ndotur. Ajo për të cilën institucionet alarmuan gjatë verës tashmë po ndodh. Shtrenjtimi i peletave, drurit për ngrohje dhe energjisë elektrike shtyn qytetarët që kërkojnë alternativa më të lira për ngrohje të cilat kanë bërë që kryeqyteti ditët e fundit të qëndrojë shumë lart në listën ku renditen qytetet më të ndotura. Ministri i Ekologjisë, Naser Nuredini, nuk mohon faktin se ndotja është shtuar, mirëpo thotë se qytetarët duhet të kenë kujdes se cilat aplikacione kontrollojnë pasi së fundmi kjo është shndërruar edhe në biznes. Pasqyra më e saktë e cilësisë së ajrit, thotë Nuredini, bëhet tek air.moeep.gov.mk
“Në periudhën e dimrit kemi problem gjithmonë me ndotje, për shkak të transportit të shtuar, ngrohjets dhe të tjera si këto. Kemi bërë edhe studimin bashkë me UNDP-në dhe përkrahjen e shteti suedez dhe kemi bërë hulumtime, andaj jemi të vetëdijshëm se nga ku buron ajo ndotje”, deklaroi Naser Nuredini- Ministër i Mjedisit Jetësorë.
Aplikacionet që nuk janë në kompetenca të Ministrisë së Ekologjisë ditët e fundit e kanë renditur Shkupin në grupin e pesë qyteteve më të ndotura në botë. Por, ajri në vend monitorohet nga disa stacione matëse të vendosura nga shteti, vlera e secilit prej tyre shkon mbi 100 mijë euro. Sot përsëri faqja e ministrisë për monitorimin e ajrit nuk funksiononte. Pak kohë më parë u investua një shumë e madhe parash për të blerë server të ri, sepse i vjetri herë pas here nuk funksiononte. Sipas ministrit here pas here e njëjta del jashtë përdorimit, sepse bëhet zëvendësimi i serverit. Shtrenjtimi I gazit dhe lëndëve të tjera për ngrohje, ka bërë që edhe institucionet të gjejnë zgjidhjen tek përdorimi I mazutit. Ditët e fundit në qytetet si Shkup, Tetovë, Gostivar, qytetarët janë ankuar se ndiejnë aromë të djegie lëndësh plastike.