LajmeRajon

Mbi 4 mijë denoncime, Manastirliu: Zgjerojmë shërbimet për gratë dhe vajzat viktima të dhunës

Mbi 4 mijë vajza kanë denoncuar dhunën me bazë gjinore, vetëm gjatë këtij viti në strukturat e shtetit.

Shifra u bë publike nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë tryezës së rrumbullakët mbi gjetjet e grupit të ekspertëve të monitorimit të zbatimit të Konventës së Stambollit (GREVIO) dhe konkluzionet e Komitetit Të Palëve në Shqipëri, për adresimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore.

“Këtë vit janë më shumë se 4000 raste të denoncimit të dhunës në strukturat e shtetit. Kur shohim që ka një rritje të rasteve të denoncimit do të thotë që ka një ndërgjegjësim më të madh të grave dhe vajzave për të denoncuar dhunën dhe më shumë besim në institucionet e shtetit. Dhe, patjetër që ka një rëndësi të veçantë edhe fakti që ne kemi bërë të mundur që nëpërmjet strukturave tona të Policisë së Shtetit edhe të prokurorisë të lëshojmë vetëm këtë vit më shumë se 2400 urdhra të menjëhershëm mbrojtje. Ndërkohë që ka funksionuar më së miri dhe linja jonë e këshillimit 116 117 ku janë pritur këtë vit më shumë se 3400 telefonata” –tha Manastirliu.

“Janë 34 shërbime të specializuara, të organizuara në strehëza, linja këshillimi, shërbime të tjera për dhunën me bazë gjinore, dhunën në familje por edhe dhunën seksuale që kemi mbështetur dhe vijojmë të mbështesim, duke patur një qëndrueshmëri të ofrimit të këtyre shërbimeve. Edhe me buxhetin e vitit 2023 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, kemi në prioritet Fondin Social, duke rritur me 30% financimin e tij, për të zgjeruar bazën e shërbimeve sociale dhe shërbimeve mbështetëse dhe të specializuara. Sigurisht do të përfitojnë edhe ato struktura të reja që do të ngrihen për të adresuar çështjet e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje”-u shpreh Ministrja.

Show More

Related Articles

Back to top button