LajmeMaqedoni

Një vit nga aksidenti tragjik në Bullgari ku humbën jetën 45 persona

Banorët e Maqedonisë së Veriut, mëngjesin e 23 nëntorit të vitit të kaluar u zgjuan me një lajm tragjik. Një autobus me udhëtarë kryesisht nga Shkupi, por edhe nga qytetet tjera të Maqedonisë së Veriut, të cilët ktheheshin pas një udhëtimi turistik në Istanbul, kishte pësuar aksident tragjik në Bullgari, raporton Anadolu Agency (AA).

Më vonë u mësua se në aksident humbën jetën gjithsej 45 persona, prej të cilëve 12 fëmijë, ndërsa 7 të tjerë mbetën të lënduar.

Për shkak të aksidentit, Maqedonia e Veriut shpalli tri ditë zie, ndërsa një ditë zie u shpall edhe në Bullgari dhe Kosovë.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në lidhje me aksidentin atëherë tha se është “tragjedi e cila nuk mbahet mend në historinë tonë më të re”, ndërsa kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, aksidentin e cilësoi si “tragjedi e tmerrshme”.

Aksidenti nga mediat e shumta vendore dhe ndërkombëtare u cilësua si aksidenti rrugor më vdekjeprurës në historinë bullgare dhe si aksidenti më vdekjeprurës me autobusë në 10 vitet e fundit në Evropë.

Dyshimet e para ishin se bëhet fjalë për gabim njerëzor ose problem teknik

Hetimet në lidhje me aksidentin filluan menjëherë atë ditë, më 23 nëntor 2021. Vendin e aksidentit e vizitoi Prokurori i Përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut bashkë me zv.prokurorin e Bullgarisë.

Deklarata u mblodhën nga personat e mbijetuar, dëshmitarë okularë, ndërsa dyshimet e para ishin se bëhet fjalë për gabim njerëzor ose problem teknik.

Rrethanë tragjike ishte fakti se aksidenti ndodhi rreth orës 2 pas mesnate, në kohën kur shumica e udhëtarëve mund të kenë qenë duke fjetur.

Dy ditë më vonë, më 25 nëntor 2021, zv.kryeprokurori Publik dhe drejtor i Shërbimit Hetimor Kombëtar të Bullgarisë, Borislav Sarafov, në një prononcim për mediat hodhi poshtë mundësinë e një akti të mundshëm terrorist.

“Nuk ka pasur shpërthim, vetëm e ka kapluar një zjarr i fortë”, tha ai.

Sarafov shtoi se në autopsi është zbuluar se të gjithë udhëtarët kanë humbur jetën nga tymi, respektivisht para se të përfshihen nga flakët e zjarrit.

Ai gjithashtu tha se si shkak kryesor të aksidentit janë duke e hetuar “mundësinë për gabim njerëzor”, duke shtuar se një faktor tjetër për aksidentin mund të ketë qenë edhe gjendja e keqe e rrugës dhe sinjalistika e komunikacionit në rajon.

Në muajin gusht të këtij viti, autoritetet bullgare njoftuan se sipas hetimeve, shkak i aksidentit është humbja e kontrollit të autobusit nga shoferi dhe shpejtësi më e madhe se e lejuara.

Autoritetet ia morën licencën agjencisë turistike

Menjëherë pas tragjedisë, shërbimet kompetente të Maqedonisë së Veriut kanë hyrë në zyrat e agjencisë “Besa Trans” që organizoi transportin dhe udhëtimin turistik, ku u kryen kontrolle të detajuara.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, më 26 nëntor 2021 informoi se autobusi i aksidentuar nuk është paraqitur në bazën e vetme elektronike të Ministrisë nga ana e pronarit, duke shtuar se ky autobus nuk ka pasur as certifikatë të licencës që jepet për çdo autobus veçmas. Kompania transportuese, siç theksoi ministri Boçvarski, gjatë daljes nga shteti ka përdorur certifikatë të një autobusi tjetër, në kundërshtim me ligjet.

Për shkak të këtyre parregullsive, autoritetet ia kanë marrë licencën kompanisë përkatëse, ndërsa i gjithë dokumentacioni për kompaninë në fjalë i është dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme.

Gjithashtu, prokuroria e Maqedonisë së Veriut ka dorëzuar aktakuzë për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, ndërsa procesi gjyqësor për këtë lëndë është në vijim e sipër.

Më 3 dhjetor 2021, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit mbërritën mbetjet mortore të 45 viktimave, kur u bë edhe varrimi i tyre. Ata u transportuan në Shkup me dy aeroplanë transportues ushtarakë të Bullgarisë dhe u nderuan me pritje shtetërore nga drejtuesit më të lartë të institucioneve të Maqedonisë së Veriut, si dhe liderëve nga Kosova dhe Shqipëria. Mbetjet mortore paraprakisht u identifikuan në bazë të analizave të ADN-së së familjarëve./AA

Show More

Related Articles

Back to top button