Kështu dukeshin disa lagje në qytetin e Tetovës, pas reshjeve intensive të shiut një natë më parë. Situatë më e rëndë ishte në lagjen 172, ndërsa pësuan edhe pjesë të tjera të qytetit. Uji depërtoi nëpër shtëpitë dhe bodrumet e lokaleve.
Banorët thonë se vetë pastruan dëmet, ndërsa situata përsëritet ndër vite,“këtë problem e kemi prej pesë vitesh radhazi. Gjithnjë kur ka reshje shiu ne këtë problem e kemi kështu siç e shihni, gjithnjë jemi të rrezikuar nga reshjet e shiut. E shihni nëpër bodrume hyn nëpër shtëpia, kemi ndërtuar edhe një mbrojtje sepse jemi gjithnjë të rrezikuar. Ndihmë kemi kërkuar por na thonë se është fatkeqësi natyrore kjo që ndodh”.
“Probleme na bën shumë. Ja vendosëm një mur atje që të mos na hyj uji por vazhdoi sërish do na futet edhe nëpër shtëpia sonte. Ka depërtu nëpër dyqane. Kërkuam ndihmë thonë s`kemi çka të bëjmë, në Ndërmarrje kërkuam njëjtë”.
“Kjo secilën herë na dëmton një apo dy mijë euro. Çdo ditë jam duke shkuar në komunë në inxhiniering, po veç thonë do e bëjmë sot do e bëjmë nesër. Krejt jemi në rrezik jo vetëm në dyqan por edhe tek shtëpia jemi në rrezik. Pesë viteve të fundit problem e kemi edhe atë me tre puseta”.
Nga Ndërmarrja Publike Komunale thonë se bëjnë të pamundurën për t`iu dalë në ndihmë banorëve, por kapaciteti i makinerisë është i limituar.
“Kur kemi të reshura shumë të mëdha e kemi të pamundur të intervenojmë në këto situata. Ne shkojmë intervenojmë por intervenimet tona janë të bazuar në bazë të asaj se ku vërtetë mund të bëjmë diçka”, deklaroi Lulëzim Shaqiri. NPK “Tetova” Tetovë.
Të pyetur në komunën e Tetovës, kanë deklaruar nuk dihen se sa dhe çfarë dëmesh janë bërë saktësisht, ndërsa theksuan se paraqitjet e dëmeve do të bëhet brenda dy ditëve në vijim./Alsat/