GostivarLajme

Gostivari shënoi 22 Nëntorin me program të begatë kulturor

Me rastin e Festave të Nëntorit, Komuna e Gostivarit në bashkëpunim me të gjitha shkollat fillore të qytetit, organizoi program të begatë kulturor.

Programi kulturor në Qendrën për Kulturë, u shoqërua edhe me një ekspozitë me motive kombëtare, ku çdo shkollë u prezentua me nga dy piktura dhe garë në ese me temë Festat e Nëntorit. Fjalë përshëndetëse pati Kryetari i Këshillit të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, i cili uroi nxënësit dhe mësimdhënësit për performansën e tyre.

“Çdo komb e ka nga një muaj që ndoshta e konsideron si më festivin. Për ne shqiptarët padyshim që një muaj i tillë është nëntori. Kemi fatin të festojmë si komb ngjarje të mëdha në këtë muaj”, tha Limani.

Pas programit artistik, komisionet vlerësuese për ekspozitën nga mësimdhënësit e artit figurativ dhe esetë nga mësimdhënësit e gjuhës shqipe, ndanë tre çmimet e para për pikturë dhe për ese. Nxënësit fitues që u dekoruan me mirënjohje janë: në ese: Elhame Limani, Agan Mustafi dhe Erina Latifi ; në artin figurativ : Enisa Alili, Amra Xhaferi dhe Isra Musliu.

Para publikut të madh, u prezantuan pika fantastike me motive kombëtare, ndërsa mysafirë specialë të programit ishin Mexhit Rahmani i cili recitoi poezinë “Kuq e Zi” dhe Lis Demiri, nxënës i shkollës së muzikës, i cili së fundmi ka zënë vendin e parë me këngën e tij të titulluar “Gostivari”.

Show More

Related Articles

Back to top button