Deri dje, kur edhe përfundoi afati për aplikim për energji elektrike të subvencionuar, janë paraqitur gjithsej 233 shkolla fillore dhe të mesme nga të gjitha qytetet e vendit. Gjithashtu janë paraqitur 50 ndërmarrje publike, si dhe 235 subjekte, persona juridik dhe fizik, nga sektori i ushqimit.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, sot në konferencë për shtyp, njoftoi se sipas vendimit të Qeverisë, kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore bazë si vaj ushqimor, bukë dhe produkte furre, miell, qumësht dhe produkte qumështi, industria e mishit dhe shpendëve do të marrin energji elektrike të subvencionuar përmes “EMV shitje” me çmim 80 euro për megavat/orë, për shkollat fillore dhe të mesme çmimi i subvencionuar do të jetë 95 euro për megavat/orë, po aq sa për ndërmarrjet publike në fushën e ujësjellësit dhe largimit të ujërave të zeza që operojnë me stacione pompimi dhe pastrimi.
“Për ata që e shfrytëzuan këtë mundësi dhe u regjistruan, SHA EMV përmes “EMV shitje” së do të fillojë nga data 1 dhjetor me furnizimin e tri kategorive të konsumatorëve që mbulohen nga vendimi i Qeverisë për energjinë elektrike të subvencionuar. Subjektet që deri dje nuk kanë dorëzuar dokumente të plota do të mund ta bëjnë këtë në periudhën e ardhshme dhe do të vendosen në furnizim të subvencionuar nga 1 janari i vitit të ardhshëm”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri.
Ai theksoi se Qeveria do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për ndihmë të qytetarëve dhe kompanive./Telegrafi/