LajmeRajon

RRGK: Vrasja e grave vjen si pasojë e dështimit institucional në trajtimin e dhunës me bazë gjinore

Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK) ka shprehur shqetësimin e thellë në lidhje me vrasjen e sotme të një gruaje 63-vjeçare nga bashkëshorti i saj 70-vjeçar.

Në reagimin dërguar mediave, kjo organizatë thotë se në vazhdën e lajmeve të përditshme për ngacmime seksuale, dhunë me bazë gjinore, dhe përdhunime të vajzave, si dhe në ditën kur fillon fushata botërore “16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunës ndaj grave”, “vrasja e 63-vjeçares në Prishtinë, vetëm se shpërfaq dhe thekson pasojat e rrënjosura të normave patriarkale dhe kulturore në kuadër të të cilave gratë vriten vetëm pse janë gra”, raporton Klankosova.tv.

RRGK-ja thotë se gratë po jetojnë në ambiente kërcënuese në Kosovë.

“Masat rehabilituese për abuzues ende nuk ekzistojnë dhe viktimat e dhunës me bazë gjinore vazhdojnë të mbesin pa rrugëdalje nga dhuna e përsëritur. Njëherësh, punësimi i grave dhe trashëgimi i pronës mbesin ndër më të ulëtat në Ballkan dhe kjo i mban gratë të lidhura në ambiente abuzuese. Vlerësimet e rrezikshmërisë nga ana e zyrtarëve policorë janë të dobëta dhe pasojnë me raste recidiviste. Dënimet nga gjykatat vazhdojnë të jenë të ulëta dhe absurde duke rikthyer në gjykim personat përgjegjës për vrasje brutale të grave dhe duke u dhënë të njëjtëve rrethana lehtësuese përgjatë procedurës penale”, thotë kjo organizatë.

Kjo hallkë e rrethanave, thotë RRGK-ja, na tregon se “vrasja e grave vjen si pasojë e dështimit institucional, social e kolektiv, në trajtimin e dhunës me bazë gjinore si çështje parësore, në kuadër të sundimit të ligjit dhe qasjes në drejtësi”.

RRGK-ja kërkon që të shqiptohet masa ndëshkuese maksimale ndaj dhunuesve në baza gjinore dhe të mos merren në konsideratë si masa lehtësuese dorëzimi i tij në polici dhe mosha e dhunuesit, “siç është praktikë të konsiderohen këto të fundit nga gjykatat”.

RRGK, si rrjet i 190 organizatave të ndryshme për të drejtat të grave në gjithë Kosovën, ka thënë se do të monitorojë reagimin institucional ndaj këtij rasti dhe ndaj të gjitha rasteve të dhunës me bazë gjinore. 

Show More

Related Articles

Back to top button