Komisioni Kuvendor për Financim dhe Buxhet në kuadër të debatit të sotëm të amendamenteve për Propozim-buxhetin për vitin 2023 nuk e miratoi amendamentin e paraqitur nga VMRO-DPMNE-ja opozitare me të cilin kërkohej shtyrja e rritjes së tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për energjinë elektrike nga 5 në 10 për qind, i cili planifikohet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Pesë deputetë u shprehën pro zgjidhjes së amendamentit dhe tetë votuan kundër.
Në arsyetimin për nevojën e miratimit të amendamentit, deputeti Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE ka treguar se me të parashihet zvogëlim i të hyrave buxhetore për 700 milionë denarë për të parandaluar rritjen e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët në kushtet e krizës ekonomike. Siç theksoi Stojanovski, qytetarët në vitin 2023 do të paguajnë 13 për qind më shtrenjtë energjinë elektrike vetëm në bazë të TVSH-së. Rritja do të jetë 5 për qind nga 1 janari dhe nga qershori për 8 për qind shtesë.
Zëvendësministri i Financave Filip Nikolloski tha se amendamenti nuk është i pranueshëm për Qeverinë dhe shtoi se pas 1 janarit energjia elektrike do të ketë normë preferenciale të TVSH-së, por jo 5, por 10 për qind në vend të 18 për qind që është norma e zakonshme.
Pas përfundimit të debatit dhe mosvotimit të amendamentit, kryetari i Komisionit Stojanovski dha pushim të rregullt prej një orë, pas së cilës duhet të vazhdojë debati i amendamenteve për Propozim-buxhetin për vitin 2023.
Në kuadër të debatit të amendamenteve për Propozim-buxhetin, Komisioni duhet të shqyrtojë gjithsej 263 amendamente, prej të cilave 199 janë dorëzuar nga VMRO-DPMNE-ja opozitare.
Në propozim-buxhetin e propozuar për vitin e ardhshëm rritja është parashikuar në 2.9 për qind, ndërsa inflacioni 7.1 për qind. Të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 282 miliardë denarë dhe janë më të larta për 14,8 për qind në krahasim me vitin 2022, kurse shpenzimet në nivelin prej 324,8 miliardë denarë ose janë 12,6 për qind më të larta në krahasim me vitin 2022. Deficiti buxhetor është në nivelin 4,6 për qind të BPV-së së planifikuar. Për shpenzime kapitale, nga ana tjetër, janë planifikuar 48,9 miliardë denarë, ose rreth 52,3 për qind më shumë në krahasim me planin për vitin 2022.