LajmeMaqedoni

Dhuna ndaj grave është e pranishme edhe në Maqedoni

Gjatë këtij viti në Maqedoni gjithsej 1129 persona, prej 792 gra, 177 bura dhe 160 në familje kanë denoncuar dhunë të ushtruar ndaj tyre. Ky numër konsiderohet të jetë më i lartë pasi që një pjesë e madhe e grave nuk e denoncojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre për shkak të frikës dhe mosbesimit se do të ndërmerret diçka. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovana Trençevska tha të dhënat nuk tregojnë rritje të madhe të akteve të dhunës por shqetësuese sipas saj janë vendimet gjyqësore që lënë në liri autorët e dhunës.

“Statistikat nga Qendra për Punë Sociale tregojnë se nuk ka rritje drastike të denoncimeve për dhunë familjare dhe dhunë kundrejt grave. Megjithatë, numrat e vendimeve gjyqësore tregojnë që në pjesën më të madhe të rasteve ose palët tërhiqen nga procesi gjyqësor ose kemi aktgjykime të cilat lirojnë dhunuesin për shkak se nuk ka dëshmi të mjaftueshme në vetë procedurën ose janë vendime që nuk përputhen me regullativën ligjore sa i përket dënimeve të shqiptuara”, deklaroi Jovana Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Trençevska shtoi që çdo grua potencialisht mund të jetë pre e dhunës në familje, pa marrë parasysh statusit të saj social ose ekonomik.

“Më e shpeshtë është dhuna psikike kundrejt viktimave, pas kësaj vjen dhuna fizike, por kemi viktima nga të gjitha kategoritë. Pra, nuk janë të rrezikuar nga dhuna vetëm kategoria më e cenueshme e qytetarëve por kemi edhe gra të cilat janë të punësuara, me arsim të lartë dhe ekonomikisht të forta, por në këto raste më e shpeshtë është dhuna psikike”, tha Jovana Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Rajoni i Pollogut është rajoni i vetëm prej tetë rajoneve planore në Maqedoninë e Veriut që nuk ka strehimore për gratë viktima të dhunës në familje, gjë që shkon në kundërshtim me Konventën e Stambollit ku nënshkruese është edhe Maqedonia e Veriut.

Në lidhje me këtë, Trençevska nuk tregoi se ku janë strehuar deri tani viktimat e dhunës në familje nga rajoni i Pollogut, por tha se deri në fund të muajit do të hapet një e tillë në Gostivar.

“Momentalisht, deri në fund të muajit do të hapim edhe strehimoren në Gostivar. Aktualisht vendosen pajisjet dhe të gjitha gjërat e nevojshme që sipas protokollit duhet t’i ketë një strehimore”, u shpreh Jovana Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Neni tre i Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës ndaj Grave, dhunën ndaj grave e definon si shkelje të të drejtave të njeriut dhe i referohet të gjitha akteve të dhunës me bazë gjinore që shkaktojnë ose ka të ngjarë të çojnë në lëndime ose vuajtje fizike, seksuale, psikologjike ose ekonomike, duke përfshirë kërcënime për akte të tilla. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button