LajmeMaqedoni

NP “Parkingu i Qytetit” të Tetovës me rregulla të reja, nuk do të lejohet parkimi në hapësirat publike

Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit” të Tetovës sot ka mbajtur konferencë për shtyp në të cilën i ka shpalosur risitë për funksionin e kësaj ndërmarrje. Risia e parë është futja e biletës plotësuese, ndërkaq e dyta është plotësimi i rregullores për vendosjen e bllokuesve të automjeteve në vendet publike, gjegjësisht që nuk janë të destinuara për parkim, si dhe për procedurën e heqjes së bllokuesve nga automjetet, njofton Portalb.mk.

“Nëse shfrytëzuesi i vend-parkimit e tejkalon kohën e planifikuar të parkimit dhe të njëjtën nuk e vazhdon (pra, nëse një mundësi e tillë parashikohet nga sistemi i tarifimit të shërbimit të parkimit), pastaj në rastin e parkimit të automjeteve në vendet e parashikuara për parkimin e automjeteve të personave me nevoja të veçanta nga persona që nuk i përkasin kësaj kategorie, apo shkel kushtet për shfrytëzimin e vendparkimit për të cilin është i detyruar të paguajë biletë shtesë”, thonë nga NP “Parkingu i Qytetit”.

Ata njoftuan se urdhri i biletës plotësuese do të lëshohet nga kontrollori, ndërkaq shuma e biletës do të kushtojë 1.500 denarë, ndërkaq nëse paguhet brenda 24 orëve, 750 denarë. Nëse bileta nuk paguhet brenda 8 ditëve, atëherë NP Parkingu i Qytetit do të nisë procedurë, në të cilën do të përfshihen dhe kosto shtesë lidhur me pagesën e detyrueshme dhe kamata.

Me këtë Tarifë ndryshon edhe tarifa për vendosjen e bllokuesit të rrotave në të gjitha zonat, e cila nga 1000 denarë do të ulet në 750 denarë.

“Risia e dytë ka të bëjë me vendosjen e bllokuesve në të gjitha hapësirat publike nën juridiksionin e Komunës së Tetovës. Këtu përfshihen: rrugët shërbyese dhe banesore në territorin e Komunës së Tetovës, trotuaret, parkingjet publike, shtigjet për këmbësorë dhe biçikleta, sheshet, shëtitoret e ndryshme, tregjet, në pjesët e gjelbra të rrugëve, parqet, hapësirat rekreative si dhe në vende e pjesë të tjera të paorganizuara”, thanë nga NP Parkingu e Qytetit.

Ata informuan se do të kërkojë asistencë nga policia e trafikut gjatë vendosjes së bllokuesve dhe largimit të automjeteve nga vendet që nuk janë të destinuara për parkim. Në rast të mungesës së asistencës nga policia e trafikut, NP “Parkingu i Qytetit” – Tetovë do t’i dorëzojë policisë së trafikut listën e targave të automjeteve të bllokuara dhe të hequra deri në fund të orarit të punës ose më së voni në ditën e ardhshme të punës për veprime të mëtutjeshme.

Kujtojmë që në janar të këtij viti, Komuna shpalosi planin për krijimin e parkingjeve të reja për këtë vit. Ky plan parashihte 3.090 vende të reja parkimi edhe atë (zonale 410, të mbyllura 790 dhe garazhet në kate 1,890). Ky plan ishte i ndarë në pesë faza. Në tre- mujorin e parë, plani nuk u realizua siç u premtua. As në tre-mujorin e dytë plani nuk u realizua sipas premtimit. Edhe në tre-mujorin e tretë parkingjet nuk u realizuan sipas planifikimit. Në këtë periudhë është bërë zgjerimi i parkingut zonal, që nuk nënkupton vende të reja parkimi, si dhe po punohet për disa parkingje të mbyllura. Parkingje dhe garazhe në kate nuk ka ende. Aktualisht, sipas SPB-së në Tetovë ka të regjistruara rreth 44 mijë vetura.

Gjatë konferencës për shtyp për një-vjetorin e tij në Komunë, Kasami deklaroi se kanë siguruar më shumë se 500 vende të reja parkimi, nëpërmjet ndërtimit të parkingjeve të hapura dhe të mbyllura.

Show More

Related Articles

Back to top button