LajmeMaqedoni

Shoferët privatë janë të gatshëm t’i kthehen punës sapo t’u paguhet borxhi

Transportuesit privatë janë të gatshëm të fillojnë transportin në momentin që do t’u paguhet borxhi, gjegjësisht të paktën një pjesë e borxhit që të tejkalohet e gjithë kjo situatë, tha drejtori i “Sloboda prevoz”, Lenin Jovanovski.

Në deklaratën për media para hapësirave të Qytetit të Shkupit, Jovanovski tha se sot kompanitë private kanë hequr dorë nga synimi për të bllokuar qytetin në disa udhëkryq, sepse kanë marrë sugjerime të caktuara nga qytetarët të cilët, siç tha ai, “i respektuan”, si dhe për këtë që sot po mbahet manifestimi i “Zlatni slavejçe”.

“Sot vendosën ta demantojnë kryetaren me deklaratat e saj se ajo pretendonte se transportuesit privatë kanë 70 autobusë. E kemi mohuar dje në një konferencë për shtyp dhe me dokumente, edhe këtu, që të shohë drejtpërdrejt se janë rreth 200 të tillë dhe t’i shohin edhe qytetarët. Prandaj nuk ka bllokadë më serioze, por siç e shihni lejohet qarkullimi i automjeteve, tha ai.

Jovanovski informoi se në takimet e sotme me përfaqësuesit e transportuesve privatë është biseduar për zgjidhjet e mundshme.

Sipas tij, transportuesit privatë kryejnë një aktivitet publik dhe që të mund ta kryejnë atë, u duhen fonde për të vazhduar në shërbim të qytetarëve.

“Sugjerojmë që Këshilli i Qytetit të Shkupit të miratojë mjete për Ndërmarrjen qarkulluese publike që do të jenë në funksion, që NQP të paguajë borxhet e transportuesve privatë. Nuk duhet të jetë 100 për qind lehtësim borxhi, do të presim, për njëzet ditë ndoshta do të miratohet buxheti i ri, nga i cili do të shlyhet i gjithë borxhi, megjithatë, pjesa më e madhe e borxhit do të paguhet dhe deri në miratimin e buxhetit të servisohen kostot e transportuesve privatë siç parashihen në vetë kontratën, thotë ai.

Drejtori tregoi se nëse do të marrin sinjale, përgjigje dhe zgjidhje për propozimin e tyre, ndoshta protestat do të ndalojnë.

“Borxhi i NQP-së ndaj kompanive private është i padiskutueshëm. Dje kam paraqitur një dokument nga NQP, një kartelë analitike në të cilën na është lëshuar nga departamenti i tyre i kontabilitetit, në të cilin borxhi është ai që ju paraqesim. Nuk ka asnjë kontest dhe askush nuk mund ta mohojë atë borxh, tha Jovanovski.

Qyteti i Shkupit dje njoftoi se po e ndërpresin kontratën me transportuesit privatë nga “Slloboda prevoz” për shkak të mospërmbushjes së obligimeve që dalin nga kontrata. Qyteti apeloi deri te transportuesit që të rishikojnë vendimin për bllokimin e Shkupit, sepse, siç thonë ata, kjo nuk do ta zgjidhë problemin.

Jovanovski, nga ana tjetër, tha se nuk kanë marrë asnjë dokument.

Nga Qyteti i Shkupit, gjithashtu, paralajmëruan se duke filluar nga java e ardhshme do të publikohet një thirrje publike në të cilën mund të aplikojnë të gjithë operatorët privatë, me qëllim transparencën më të madhe të procesit dhe zgjidhjen më të lehtë të problemeve të mundshme.

Bllokada e parë e transportuesve privatë u bë më 28 nëntor në udhëkryqin pranë QT “Mavrovasja”, kur rreth 30 autobusë të “Slloboda prevoz” dhe “Mak-Ekspres” ishin parkuar në bulevardet “Goce Dellçev” dhe “Krste Petkov Misirkov” me kërkesë “t’u shlyhen borxhet që të mund të fillojnë sërish të punojnë”

Show More

Related Articles

Back to top button