GostivarLajme

Kasami kërkon zgjedhje të parakohshme: Kjo qeveri ka humbur rrugën në oborrin e vet

Kemi situatë të jashtëzakonshme si pasojë e krizës dhe kjo situatë kërkon zgjidhje të jashtëzakonshme. Në këtë rast, zgjidhja janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kështu thotë kryetari i Lëvizjes “BESA”, Bilall Kasami, i cili në emisionin “Politica” në televizionin Globi tha se si subjekt politik janë për zgjedhje të shpejta të parakohshme. Kasami thotë se ato nuk mund të shmangen vitin e ardhshëm, por sipas tij, presioni duhet të jetë më i madh edhe nga opozita maqedonase.

“Ne vlerësojmë se nëse Qeveria e Zoran Zaev ishte e dështuar, kjo Qeveri e ka humbur rrugën në oborrin e vet. Kryeministri i ri fatkeqësisht nuk e ka idenë, nuk ka orientim as në kohë, as në hapësirë dhe për momentin Qeveria funksionon nga shkaku që edhe opozita maqedonase që në këtë rast duhet të jetë forca kryesore që mund t’i imponojë zgjedhjet e parakohshme, është me atë thënien popullore “kërkojmë zgjedhje të parakohshme, por lutemi që mos ti kemi”. Përndryshe, unë e shoh se Qeveria është në atë situatë që po të ketë një kërkesë serioze nga opozita maqedonase për zgjedhje të parakohshme, ajo edhe mund të ndodh”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA.

Kasami tha se ASH nuk duhet të shkojë në Qeveri pasi as me tetë deputetët e tyre e edhe ato të Lëvizjes BESA nuk sigurohen votat e nevojshme për ndryshimet kushtetuese. Ai tha se më lehtë është e arritshme të shkohet në zgjedhje të parakohshme sesa të sigurohen 80 vota në Kuvend për ndryshimet kushtetuese. Nga takimet me ndërkombëtarët, Kasami tha se ata nuk bëjnë asnjë persion në këtë drejtim. Në vend të shkuarjes në Qeveri, Kasami thotë se subjektet politike, duhet të mendojnë për ofertë të re politike dhe të shkohet në zgjedhje.

“Nuk ka ndonjë person të qartë dhe të fuqishëm nga partnerët tanë ndërkombëtar më së paku për t’iu bashkangjitur Qeverisë por edhe për të përkrahur ndryshimet kushtetuese pa kushte dhe ato të ndodhin më shpejtë apo në këto rrethana që ndodhemi”, deklaron Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA.

Kasami tha se Dimitar Kovaçevski është vetëm kryeministër i BDI-së dhe jo i qytetarëve, prandaj dhe e ka refuzuar shkuarjen në takimin e liderëve që ftoi Kovaçevski. Ai pret sqarim nga partitë shqiptare pastaj pse nuk shkuan në takimin që ai e ftoi për koordinim para hapjes së Kushtetutës dhe zëvendësimin e 20 përqindëshit me gjuhën shqipe. Kasami tha se Lëvizja BESA nuk heq dorë nga kjo kërkesë dhe se ajo do jetë kusht për mbështetje të ndryshimeve kushtetuese.

“Do të kërkojmë që fillimisht të diskutohet edhe për largimin e 20 përqindëshit, sepse këtë e kanë deklaruar edhe kryetari i LSDM-së dhe ai i VMRO-së se nuk kanë probleme që të largohet 20 përqindëshi nga Kushtetuta sepse është një realitet dhe i vetmi popull në RMV jemi që jemi mbi 20 përqind dhe kjo u konfirmua edhe me regjistrimin e fundit dhe ne akoma definohemi si 20 përqind. Kur edhe partitë maqedonase nuk kanë ndonjë aversion, u mbetet partive politike shqiptare që të kërkojnë ndryshimin dhe ne si Lëvizje BESA jo vetëm do kushtëzojmë por edhe do të kërkojmë fillimisht kjo çështje të vendoset në rend dite kur të vijnë ndryshimet kushtetuese”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA.

Me këtë shumicë, sipas Kasamit, nuk mund të ndodhin ndryshimet kushtetuese. Ai fillimisht pret të ketë zgjedhje të parakohshme nga të cilat Lëvizja BESA, siç theksoi, do të del fituese te blloku politik shqiptar.

Show More

Related Articles

Back to top button