Partia në pushtet LSDM ka lëshuar një komunikatë për media përmes së cilës komenton sjelljet e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit dhe partisë së tij në përgjithësi.
Nga LSDM, Mickoski cilësohet si politikan i cili aktron patriotin dhe nuk voton ligjet në të mirë të qytetarëve.
“Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja e tij vazhdojnë me sjellje destruktive, antishtetërore dhe antikombëtare. Me urdhër të Mickoskit, deputetët në Kuvend bllokojnë çdo gjë që është në interes të qytetarëve dhe shtetit. Dhjetëra ligje të rëndësishme janë bllokuar me muaj në Kuvend për interesa dhe teka personale të Mickoskit. Ndërsa bllokon dhe vepron si patriot, Mickoski po minon interesat shtetërore dhe po kryen tradhti. Partia Popullore Evropiane, anëtare e së cilës është edhe VMRO-DPMNE, miratoi një rezolutë që mbështet hapjen e negociatave me BE-në, por në të njëjtën kohë mbështet pikëpamjet e Bullgarisë. Mickoski, i cili ishte pjesë e Kongresit ku u miratua Rezoluta, hesht dhe nuk përgjigjet nëse e ka përkrahur rezolutën dhe cili ka qenë qëndrimi i tij për atë çështje? Duke mos mbajtur qëndrim për rezolutën, Mickoski cenoi pozitën shtetërore në procesin me Bullgarinë, duke dëmtuar interesat kombëtare.Përveç bllokimit të proceseve të rëndësishme, dëmtimit të shtetit dhe mbrojtjes së krimit, Mickoski nuk ka tjetër agjendë, duke u konfirmuar edhe një herë si politikani më i papërgjegjshëm”, thuhet në njoftimin e LSDM-së.
Ndryshe, më 18 qershor OBRM-PDUKM-ja ka paralajmëruar edhe protestë me ç’rast sipas tyre duhet të bie qeveria e Dimitar Kovaçevskit.