Borxhi i jashtëm i Malit të Zi e kalon, ndërsa i Maqedonisë së Veriut i afrohet nivelit kritik prej 60% në raport me Prodhimin Bruto Vendor, pa përfshirë borxhin e brendshëm. Kosova, nga ana tjetër, ka më së paku borxhe në rajon.
Borxhi i jashtëm publik vazhdon të rritet ndjeshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor. Të dhënat për këtë vit tregojnë rritje të mëtutjeshme të obligimeve ndaj kreditorëve të jashtëm. Borxhi i jashtëm është pjesa e borxhit të një shteti i marrë hua nga huadhënës të huaj, përfshirë banka komerciale, qeveri ose institucione financiare ndërkombëtare. Të dhënat zyrtare të Bankave Qendrore dhe Ministrive të Financave tregojnë se nga i gjithë rajoni, situata më kritike duket në Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, sa i përket nivelit të borxhit të jashtëm në raport me Prodhimin Bruto Vendor. Borxhi i jashtëm i Malit të Zi është 68.4%, sipas të dhënave zyrtare nga Podgorica, duke e kaluar nivelin prej 60% që është një nivel kritik sipas standardeve ndërkombëtare. Maqedonia e Veriut, nga ana tjetër, i afrohet shumë këtij niveli, me borxhin e jashtëm që arrin 58.3% të Prodhimit Bruto Vendor.
Nga të gjitha shtetet e rajonit, Kosova ka borxhin më të ulët të jashtëm, sipas të dhënave nga Ministria e Financave e Kosovës. Me 580 milionë euro detyrime të jashtme, Kosova është e vetmja që nuk kalon as 1 miliardë euro borxhe të jashtme në rajon, ndërsa ky borxh përbën rreth 6.87% të PBV-së kosovare. Bosnjë e Hercegovina gjithashtu ka nivel mjaft të ulët të borxhit të jashtëm, me rreth 22.2% nga PBV-ja e tyre.
Shqipëria ka borxh të jashtëm shtetëror që arrin 34.1% të PBV-së, ndërsa borxhi i jashtëm i Serbisë shkon mbi 20 miliardë euro, që është 34.5% e PBV-së së saj. Borxhi i përgjithshëm i shteteve të Ballkanit Perëndimor është shumë më i lartë se kaq, nëse përfshihen detyrimet edhe ndaj kreditorëve të brendshëm. Për shembull, borxhi i përgjithshëm i Malit të Zi, si vend me më shumë borxhe në rajon, arrin 75% të Prodhimit Bruto Vendor. Borxhi i Serbisë dhe ai i Shqipërisë janë gjithashtu dyfish më të larta, nëse llogariten në total. Ndërsa borxhi i Kosovës trefishohet dhe arrin nivelin prej 20.48% të PBV-së nëse përfshihet borxhi i brendshëm. Megjithatë, edhe me këto parametra Kosova mbetet me borxhin më të ulët publik në rajon. (TRTBalkan)