
Këshilltari i sekretarit amerikan të Shtetit Derek Shole do ta vizitojë Maqedoninë e Veriut më 14 dhjetor për të biseduar me përfaqësues të qeverisë për një sërë çështjesh, përfshirë edhe për energjinë, ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit, kumtoi Departamenti i Shtetit.
Përveç në Shkup, Shole nga 11 deri më 17 dhjetor do t’i vizitojë edhe Kosovën, Serbinë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe Belgjikën, transmeton Zëri i Amerikës.
“Kjo vizitë e thekson përkushtimin e përhershëm të SHBA-së për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit”, theksojnë nga Departamenti i Shtetit.
Serinë e vizitave, Shole do të përfundojë në Bruksel më 16-17 dhjetor me qëllim për të biseduar për bashkëpunimin me partnerët dhe aleatët evropianë për një sërë çështjesh globale, duke përfshirë edhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, pranimin në BE dhe integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për sigurinë energjetike dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.