Shoqata e qytetarëve “Miqësia Maqedono-Bullgare” para Gjykatës Kushtetuese apeloi ndryshimet në Ligjin për shoqata, të cilat u inicuan pas hapjes së klubeve “Ivan Mihailov” dhe “Car Boris III”. Sipas shkrimeve të mediave bullgare, ankesa do të bëhet për shkeljen e të drejtës së shoqërimit.
Sipas nismëtarëve, këto ndryshime kanë efekt prapaveprues dhe krijojnë pasiguri juridike, gjë që bie ndesh me parimin kushtetues të shtetit të së drejtës dhe me ndalesën e veprimit prapaveprues të ligjeve. Ata bëjnë të ditur se ky ligj kufizon të drejtën e bashkimit të qytetarëve, e cila është e garantuar me Kushtetutë.
“Me postë ka mbërritur iniciativë në të cilën kontestohet Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shoqëritë dhe fondacionet i publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut më 8 nëntor 2022. Ju njoftojmë se çështja do t’i kalojë gjykatësit dhe këshilltarit të Gjykatës Kushtetuese”, thonë nga Gjykata Kushtetuese.
Ndryshe, ndryshimet hynë në fuqi më 8 nëntor. Me to, klubeve me emra të kontestuar u jepet një afat prej tre muajsh për të ndryshuar emrat, në të kundërtën do të nisë procedura për fshirjen e tyre nga Regjistri Qendror. Këtë procedurë do ta udhëheq Ministria e Drejtësisë, nga ku thonë se për momentin nuk kanë informacione se klubet në Ohër dhe Manastir kanë ndryshuar emrat, siç e kërkon ligji.
Ndryshimet u miratuan në Kuvend me mbështetjen e pozitës dhe opozitës. Ndryshimet parashohin që si emra për shoqatat të mos mund të përdoren emrat, mbiemrat, pseudonimet e personave që, mbi çfarëdo baze në të kaluarën, kanë qenë të lidhura me intolerancë racore, fetare, kombëtare, etnike dhe të tjera, urrejtje, gjenocid, përhapje ose mbështetje të fashizmit, nazizmit, nacionalsocializmit dhe Rajhut të Tretë.
Ministri Bujar Osmani kërkoi që ligji të dërgohet në Komisionin e Venecias për verifikim, por kjo nuk ka ndodhur. Gjëja e fundit që tha kryeministri Dimitar Kovaçevski ishte se po përgatitet Ligji i ri për Shoqatat./Alsat.mk