Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet të takojnë sot në Prishtinë udhëheqësit e Republikës së Kosovës, transmeton REL.
Takimet me zyrtarë të lartë të Qeverisë pritet t’i zhvillojnë në orët e vona të pasdites, ndërsa me udhëheqësit e opozitës do të takohen paraditen e së martës.
Vizita e tyre vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është e tensionuar.
Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Këto veprime i ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.
Sulmet ndodhën derisa KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat veriore: Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok.
Zgjedhjet u shpallën pasi kryetarët e komunave dhe përfaqësues tjerë serbë u larguan nga vendet e punës në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.
Përfaqësuesit serbë, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kundërshtuan edhe zgjedhjet, që fillimisht u planifikuan për datën 18 dhjetor.
Për shkak të situatës së tensionuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i shtyu ato për në prill të vitit të ardhshëm.
Autoritetet e Kosovës akuzuan “bandat kriminale serbe, të udhëhequra nga Beogradi”, për disa incidente me armë zjarri dhe shok-bomba që ndodhën ditëve të fundit në veri. Zyrtarët serbë thanë se udhëheqësit e Kosovës po përpiqen “t’i dëbojnë” serbët nga veriu.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të sigurojë vendosjen e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.
Rreth kësaj kërkese nuk pati reagim nga KFOR-i.
Në njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit për vizitën e Cholletit në Prishtinë u tha se ai do të bisedojë me zyrtarët kosovarë për një sërë çështjesh, përfshirë përpjekjet e SHBA-së për avancimin e integrimit të Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, përpara vizitës në Kosovë, Chollet tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve do të çojnë në njohje reciproke mes tyre.
Pas qëndrimit në Kosovë, Chollet do të vazhdojë vizitën në Serbi, Bosnje e Herzegovinë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Kroaci dhe Belgjikë.