LajmeRajon

“Prova e zjarrit”, sa vota do të marrë sonte Bajram Begaj? Çfarë paralajmëroi Rama

Sot zhvillohet raundi i katërt i votimit për të zgjedhur Presidentin e Republikës dhe sipas të gjitha gjasave ai do të jetë Bajram Begaj. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së ka dorëzuar tashmë dorëheqjen nga detyra te ministri i Mbrojtjes dhe pas lirimit nga Presidenti Meta mund të shkojë për votim pasditen e sotme në Kuvend. Në dukej nuk ka asgjë që mund ta pengojë planin e Ramës për të çuar Begajn në Presidenti, si një një person që sipas tij “do të ofronte një figurë normale në krye të shtetit, ndryshe nga ai aktual”.

As Begaj vetë nuk duket të ketë ndonjë pengesë pasi përtej akuzave periferike, ka punuar ngushtë edhe me qeverisjen e demokratëve dhe nuk duket të ketë ndonjë kundërshti për ta, përveç rreshtimit politik. Ashtu siç kanë njoftuar dje, grupi i Berishës do të jenë sot në seancë plenare për të votuar kundër, ndërkohë që Grupi Parlamentar i PD-së do ta bojkotojë seancën.

Sfida e Ramës tashmë nuk është zgjedhja e Bajram Begaj në krye të shtetit në raundin e katërt, kur duhen vetëm 71 vota, por numri i votave pro që ai do të marrë. Nëse të gjithë mbështetësit e Berishës që do të jenë në sallë do të votojë kundër, atëherë maxhoranca ka në dispozicion një “thes” prej 74 votash socialiste dhe 3 të PSD-së duke e çuar numrin total në 77 vota potenciale që duhet të marrë Bajram Begaj.

Rama bëri një paralajmërim sot në Grupin Parlamentar duke thënë se kandidatura e Begajt ishte konsensuale dhe se nuk kishte nevojë të kërkonte mbështetjen e deputetëve për të, gjë e cila do të vijë sipas tij, ndërkohë që arsyetoi edhe përjashtimin e emrave të tjerë si Fatos Nano, Gramoz Ruçi, etj.

Madje Rama shkoi edhe më tej duke përmendur “edhe ndonjë deputet apo deputete që nuk mori pjesë në procesin e propozimeve me zarfe..”. Nuk dihet se kujt iu drejtua Rama me këtë togfjalësh, por duket se paralajmërimi i tij vjen në një moment kur duket se brenda Grupit Parlamentar ka ndonjë rezistencë të vogël ndaj zhvillimeve aktuale, që mund të bëjë të rrjedhë ndonjë votë duke qenë se votimi është i fshehtë.

Megjithatë, kështu siç erdhën gjërat, ku nuk ka një President konsensual, i vetmi kuriozitet i gazetarëve dhe opinionit publik sonte do të jetë numri i votave që do të marrë Bajram Begaj. /abcnews.al/

Show More

Related Articles

Back to top button