Finalja e madhe në mes Francës dhe Argjentinës do të luhet më 18 dhjetor, ora 16:00. Finalja parashihet të jetë e jashtëzakonshme, me shumë emocione dhe intensitet të lartë. Argjentina duhet të bëjë kujdes, pasi në gjashtë finalet e fundit, Franca ka marrë pjesë katër herë, ku në dy prej tyre ka mundur të ngrejë në qiell trofeun më të rëndësishëm.
Në finalen e 1998, Franca mposhti Brazilin me rezultatin 3-0, ku shënues ishte Zidan me dy gola dhe Petit në fundin e lojës.
Në finalen e vitit 2006, Franca ishte përballë Italisë, ku 120 minutat përfunduan me rezultatin 1-1 me golat e Materazzit dhe Zidan, por me penallti ishin italianët të cilët fituan me rezultatin 5-3.
Kupa e Botës e vitit 2018 kishte në finale Francën përballë Kroacisë, ku “gjelat” fitojnë me rezultatin 4-2. Për Francën golat u shënuan nga autogoli i Manxhukiçit, Grizman me penallti, Pogba dhe Mbappe. Kroatët shënuan me Perishiç dhe Manxhukiç.
Tashmë, finalja e Kupës së Botës Katar 2022 do të gjejë Francën përballë Argjentinës. Messi apo Mbappe? Kjo është pyetja ku në të cilën e gjithë bota dëshiron t’i japë përgjigje më 18 dhjetor. Franca ka bërë një rrugëtim të gjatë në këtë turne, ku ka luajtur pa tre lojtarët e saj më të rëndësishëm, Benzema, Pogba dhe Kante.
Por, Messi shpreson që të fitojë këtë trofe, atë që nuk e ka fituar asnjëherë, Kupën e Botës. Theksohet se kjo Kupë Bote është e fundit për “pleshtin”, ku shansi i vjen edhe njëherë, pasi në 2014 u mposht në finale nga Gjermania, me golin e “frymës së fundit” nga Mario Gotze.