LajmeRajon

Haradinaj: Besoj fuqishëm në pafajësinë e UÇK-së

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas dënimit të ish-komandantit Salih Cali me 26 vjet burg nga Gjykata e Hagës. Haradinaj, i cili ka qenë komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, ka thënë se ai beson fuqishëm në pafajësinë e UÇK-së.

“Unë besoj fuqishëm në pafajësinë e UÇK-së. Kosova e ka pranuar drejtësinë si mekanizëm për heqjen e të gjitha dilemave se lufta e UÇK-së për lirinë e vendit ka qenë luftë e pastër! Dënimi i sotëm i Salih Mustafës është vetëm një shkallë e drejtësisë, dhe rasti i tij në një shkallë tjetër, shpresoj ta marrë një epilog tjetër për lirinë e tij, siç ka ndodhur në plot raste të tjera, që dënimet drakoniane janë rikthyer në pafajësi”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj është gjykuar edhe vetë dy herë në Hagë, nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve, i akuzuar për krime lufte. Në të dyja rastet, në vitin 2005 dhe 2012, ai është shpallur i pafajshëm.

Salih Mustafa u dënua me 26 vite burg nga Gjykata Speciale, për vrasje, tortura dhe ndalim arbitrar të personave. Ky është dënimi i parë që jepet për një ish-komandant të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale, e ngritur për të gjykuar krimet e dyshuara të luftës të kryera nga shqiptarët në Kosovë, gjatë luftës kundër Serbisë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

Përveç Mustafës, të akuzuar për krime lufte dhe të mbyllur në dhomat e paraburgimit në Hagë janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala.

Show More

Related Articles

Back to top button