Kryetari i klubit të futbollit Ferizaj, Lulzim Abazi, është takuar me drejtorin sportiv të kampionit në fuqi të Maqedonisë së Veriut, Omer Bunjaku,
Gjatë këtij takimi diskutuan për shumë gjëra me theks të veçantë për futbollin dhe për ambiciet e klubit.
“Kënaqësi ta prisnim drejtorin sportiv të FC Shkupi, Omer Bunjaku në zyret e klubit tonë.
Me këtë rast, presidenti i klubit, Lulzim Abazi shprehu nderimet që po e fillojnë një bashkëpunim me një klub të organizuar në të gjitha hallkat siç është FC Shkupi”, thuhet në njoftimin e klubit ferizajas.
“Zhvilluam një takim pune me drejtorin sportiv Bunjaku, mes tjerash u dakorduam për një bashkëpunim në aspektin sportiv, si për ndeshje miqësore, ashtu edhe në këmbim të përvojave. Ditëve në vazhdim do e mbajmë një takim edhe me presidentin e FC Shkupit, ku do e nënshkruajmë memorandum bashkëpunimin“, tha Abazi.
“Historikisht qyteti ynë ka qenë i lidhur me Shkupin. Afërsia gjeografike, lidhjet tregtare e mbi të gjitha familjare kanë qenë pikat tona të përbashkëta.
Këtyre nga sot ia shtuam edhe bashkëpunimin në aspektin sportiv, ku si ne ashtu edhe FC Shkupi do të përfitojmë, duke ecur së bashku në të mirë të futbollit”, thuhet nga FC Ferizaj.