LajmeRajon

Vrasja e biznesmenit Papa në Selitë, Policia ngre 2 pista hetimi

Kur kanë kaluar disa orë nga atentati i pasdites së djeshme ku viktimë mbeti 49-vjeçari, Edmond Papa, në lokalin ku ndodhi krimi vijon të mbetet shiriti i Policisë dhe të konsiderohet një skenë krimi. Siç duket, për hetuesit nuk janë përfunduar të gjithë procedurat dhe marrja e të dhënave që mund të dokumentojnë këtë ngjarje të rëndë dhe për këtë arsye, pritet që gjatë ditës së sotme të ketë një rikthim të grupit hetimor për të bërë dhe një kqyrje tjetër në vendin e ngjarjes.

Gazetari i Klan News, Besar Bajrakaraj raporton se që prej momentit të vrasjes, policia ka shoqëruar në komisariat për të ju marrë dëshminë e tyre të paktën 10 personave, dëshmitarë në skenën e krimit dhe familjarë të viktimës.

Sipas informacioneve paraprake, dëshmitarët kanë thënë se kanë parë një person të maskuar të cilin nuk kanë mundur që ta identifikojnë pasi ka qenë me kapuç në kokë.

Ndërkohë, familjarët kanë treguar në lidhje me të kaluarën e viktimës. Dëshmitë e tyre janë përqëndruar tek dënimi me 7 vite burg i 49-vjeçarit Papa në Greqi ku ai është dënuar për veprën penale të tafikut të lëndëve narkotike. Mësohet se ata gjithashtu kanë treguar se Papa ishte i skeduar në Britaninë e Madhe si person që dyshohej që mund të ketë trafikuar lëndë narkotike, megjithatë nuk ka pasur procedim në shtetin anglez.

Gazetari Besar Bajraktaraj raporton se për të zbardhur ngjarjen, janë ngritur 2 pista hetimi që kanë të bëjnë me vrasje që mund të kenë lindur për trafikimin e lëndëve narkotike dhe po ashtu edhe vrasje për çështjen e pronave apo dhe të bizneseve pasi 49-vjeçari njihej si biznesmen ndërtimi, dispononte disa prona, por edhe një hotel në Sarandë.

Sipas ndërtimit të skenës së krimit, mësohet se atentatori që i mori jetën Edmond Papës, e priste 49-vjeçarin për ta ekzekutuar. Burime nga policia e kryeqytetit bëjnë me dije se viktima kishte mbërritur të premten në Tiranë së bashku me të ëmën e tij, të cilën e kishte sjellë në kryeqytet për vizitë mjekësore. Papaj kishte shkuar tek banesa e vëllait të tij në zonën e Selitës. Ai kishte zbritur tek lokali poshtë pallatit për të konsumuar kafe.

Por vrasësi, i cili e priste aty pranë, siç sqarojnë burimet e policisë, shikonte të gjitha lëvizjet e Edmond Papës. Sapo 49-vjeçari hyri brenda lokalit, edhe vrasësi shkoi brenda ambienteve të këtij biznesi. Ai iu afrua deri pranë tavolinës dhe e qëlloi mbi 6-7 herë me pistoletë. Më pas u largua në këmbë nëpër rrugica. Nga kqyrja e kamerave të sigurisë, burime nga grupi i hetimit thonë se vrasësi kishte ardhur në këmbë dhe u largua po në këmbë. Ai mbante në kokë një kapuç, çka për momentin është i paidentifikueshëm. Kjo shton dyshimet se atentatori është ndihmuar edhe nga persona të tjerë për t’u larguar nga vendngjarja. 49-vjeçari Papa u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku ndërroi jetë më vonë për shkak të plagëve të rënda.

Edmond Papa jetonte prej disa kohësh në Britani të Madhe. Ai ka qenë i dënuar me 7 vite burg në Greqi për trafikim të lëndëve narkotike. /tvklan.al

Show More

Related Articles

Back to top button